Joker prin në nominimet për çmimet filmike Oscar

13 Janar, 2020 - 3:31 pm


Akademia e Arteve dhe Shkencave në Shtetet e Bashkuara ka bërë të ditura nominimet e filmave në 24 kategori për çmimet Oscar, për të nderuar përkushtimin e bërë në fushën e filmit më 2019.

Filmi Joker është nominuar në 11 kategori, duke përfshirë atë për filmin më të mirë, aktorin më të mirë dhe për tetë çmime tjera.

Tre filmat tjerë: The Irishman, 1917 dhe Once Upon a Time… in Hollywood, kanë secili nga 10 nominime.

Në kategorinë për filmin më të mirë janë nominuar projektet: Ford v. Ferrari, The Irishman, Jojo Rabbit, Joker, Little Women, Marriage Story, 1917, Once Upon a Time … in Hollywood dhe Parasite.

Në kategorinë e aktorit më të mirë janë nominuar: Antonio Banderas, për rolin e tij në filmin, Pain and Glory, Leonardo DiCaprio, për rolin në filmin, Once Upon a Time … in Hollywood, më pas Adam Driver në filmin, Marriage Story, Jonathan Pryce, në filmin, The Two Popes, dhe Joaquin Phoenix për rolin që ka në filmin, Joker.

Për rolin e aktores më të mirë, në garë për të fituar Oscar janë: Kathy Bates për rolin në filmin, Richard Jewell, Laura Dern në Marriage Story, Scarlett Johansson në filmin, Jojo Rabbit, Florence Pugh për rolin që ka në filmin, Little Women, dhe Margot Robbie, për rolin e saj në filmin, Bombshell.

Në kategorinë e filmit më të mirë ndërkombëtar në garë janë filmat: Corpus Christi, Honeyland, Les Miserables, Pain and Glory dhe Parasite.

Edhe këtë vit, sikurse në të kaluarin, çmimet do të ndahen nga aktorët, pasi nuk do të ketë nikoqir.

Ceremonia e 92-të e ndarjes së këtyre çmimeve do të mbahet më 9 shkurt në Llos Angjelles në Teatrin Dolby.

Kanali televiziv, ABC do ta transmetojë këtë ngjarje, e cila vitin e kaluar është ndjekur nga 29.6 milionë persona/REL / KulPlus.com

Të ngjajshme