7 Tetor, 2017 - 7:19 pm
Mosha nuk më tremb aspak, madje periudha e jetës në të cilën gjendem më duket një moment nxitës. Kështu është shprehur për Vanity Fair, Julia Roberts, e cila këtë muaj, më 28 tetor do të shuajë 50 qirinjtë.
E për të filluar festimet për përvjetorin e rëndësishëm, aktorja me buzëqeshjen karakteristike, e ftuar në The Late Late Show të James Corden u bë protagoniste e një videoje gazmore që përmblodhi karrierën e saj të suksesshme.
Julia në rolin e Erin Brockovich
Nga “Pretty Woman” te “Notting Hill”, e deri te filmi i ri “Wonder”, 26 filma të përcjellë në 10 minuta argëtuese.
Një udhëtim pas në kujtesë, gjatë të cilit Roberts rikujtoi me ndihmën e Corden disa prej skenave kult të filmave më të famshëm.
Dyshja filloi me “Notting Hill”, për të vazhduar më pas me “Pretty Woman”, “Erin Brockovich” dhe “Flatliners”, në një sekuencë të shpejtë me ndërrime kostumesh dhe objektesh skenike.
Julia Roberts në Pretty Woman
Nënë e tre fëmijëve dhe me një karrierë prej tri dekadash pas shpine, ish-gruaja më e bukur është shndërruar tani në gruan e mrekullive, pikërisht siç quhet edhe filmi i saj i fundit që do të fillojë të shfaqet në kinematë amerikane nga 17 nëntori.
Ndërsa me bukurinë rrezatuese që nuk njeh moshë, Julia nuk ka përse t’iu trembet viteve aspak.
Julia Roberts u bë yll hollivudian me rolin e saj në komedinë romantikë, “Pretty Woman” (1990), ndërsa e ka fituar tri herë çmimin Golden Globe (nga tetë nominime), është nominuar katër herë për Academy Awards dhe një herë e ka fituar për rolin e saj në “Erin Brockovich” (2000). / KultPlus.com