22 Maj, 2019 - 10:27 pm
Zoti Kryeminister,
Ju drejtohem me këtë letër publike, në përpjekjen për t’i thirrur arsyes Suaj dhe për t’iu kthyer të vetmes rrugë që morali njeh, për trajtimin e shqiptareve jo si armiq : Njerëzillekut!
Unë sigurisht, s’kam asnjë mirëkuptim për rrugën e zgjedhur prej Jush, qyshse braktisët punën në Korrik 2013, dhe vendosët ta nxirrnit këtë vend plotësisht jashtë shinave të shtruara nga paraardhesit tuaj. S’kam se si ta mirëkuptoj as gjuhën e urrejtjes, as taksat e rritura, as dhunën e frymëzuar e organizuar prej Jush, as ndrydhjen mediatike, as rrezikun e lirisë së fjalës, as burgun për 7 mijë lek drita, as shpopullimin e vendit, as varfëriminë e tejskajshme dhe sidomos as kriminalizimin që i bëtë politikës duke futur lloj lloj delinkuenti në parlament, për të cilën nuk keni reflektuar asnjëherë, për të cilën jeni akuzuar botërisht, me emër e me mbiemër nga populli yt dhe nga partnerët e miqtë e pazëvendësueshëm të Shqipërisë dhe si pasojë e së cilës sot, një numër jo i vogël rilindasish gjenden jashtë politikës për shkak te problemeve që kishin me ligjin. S’kam si të mirëkuptoj kurrësesi, as arrogancen e papreçedentë dhe lëre pastaj, shantazhin mbi bizneset e mbi qytetarët e këtij vendi, se Ju do t’i fusni nëpër burgje ata nëse nuk Ju binden Ju.
Por mungesa e plotë e mundësive të mia për të mirëkuptuar gjithë sa më lart, nuk më pengon, përkundrazi, më detyron t’Ju drejtoj publikisht, këtë herë me shkrim, ftesën për t’u dorëhequr dhe për ta çliruar këtë vend dhe këtë popull përfundimisht nga tensioni dhe stresi politik i krijuar ne këto vite.
Jeta politike nuk mbaron sot dhe që të jemi të qartë mes nesh, rrugën e protestave Ju mund ta vështirësoni, por s’ka asnjë shans që ta ndaloni të zhvillohet. Sa me shumë gaz të hidhni ju, aq më shumë rritet dhe dëshira për t’ju zbritur me këmbë në tokë.
Unë Ju ftoj te ulni hundën, sepse Shqipëria e shqiptarët, nuk meritojnë përkeqësimin e një situate politike krejt të pakuptimtë, nuk Ju meritojnë as Ju. Në këtë situatë askush nuk del i fituar, përveç Jush.
Me shpresën e vobektë se ftesa ime do të merret parasysh dhe me urimin të marr mbrapsht përgjigje pozitive, Ju lutem zoti Kryeministër të pranoni shprehjen e dëshirës sime të sinqertë për shëndet të patrazuar, për Ju personalisht dhe familjen Tuaj.
Julian Deda
22 Maj, 2019, në Darkë/KultPlus.com