13 Gusht, 2017 - 1:00 pm
Hyrie Hana do të kalonte një jetë të vështirë për shkak të sëmundjeve që i erdhën viteve të fundit.
Siç shkruan Sanije Gashi në librin “Ecje nëpër kujtesë”, Hyrie Hana – kjo aktore e njohur shqiptare, hoqi shumë në jetë nga UDB-ja serbe por edhe ishte veprimtare e njohur dhe e pashoqe.
Një ndër gratë e para aktore në Kosovë, Hyrie Hana ka një histori të mundimshme në ditarin e jetës së saj, shkruan KultPlus.
Ishte e bija e Gjylies dhe e Shyqyri Hanës. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte pjesëtare e Aradhës Partizane Bajram Curri. Pas përfundimit të Luftës do të filloj punën si spikere në Radio Prishtina dhe nga viti 1947 do të inkuadrohet si aktore në Teatrin Profesional të Prishtinës dhe së bashku me Meribane Shalën dhe Katarina Josipin do të jenë ndër aktoret e para në Kosovë. Në Teatrin Profesional të Prishtinës nuk qëndron gjatë sepse ishte motër e “armikut të popullit” Xheladin Hana. Më 1953, me ndihmën e aktorit Shaban Gashi pranohet aktore në Teatrin e Pakicave në Shkup. Aty luajti “E shoqja e Hasan Agës”, “Besa” e Sami Frashërit – Vahiden, tek Koshtana – nënën etj.
Sanije Gashi, një grua së cilës i detyrohemi për një libër ku janë përfshirë gratë më të njohura dhe të suksesshme shqiptare, tregon për Hyrien dhe për të arriturat e të bëmat e saj.
Në vitin 1945 Hyrie Hana nisë punën si spikere në Radio Prizren, ndërsa më pas transferohet edhe në Prishtinë. Dikur martohet me Ali Boletinin, shkon nuse në shtëpinë e Boletinëve.
Më 1961 e burgosur për herë të dytë, e mban dënimin në Pozharevc deri më 1966, si pjesëtare e Organizatës Lëvizja për Liri dhe Bashkim Kombëtar. Për herë të tretë u burgos më 1970, u dënua dhe e vuajti dënimin në burgun e Pejës. Hyrie Hana ishte “një atdhetare tepër e veçantë, e cila gjatë tërë jetës së saj vetëm i dha dhe asgjë nuk i morri Kosovës. Ajo la në dorëshkrim veprën, “Kujtime – Automonografi”, të cilat u botuan pas vdekjes së saj, në Prishtinë, më 2008.
Në dosjet e saj të fryra me lloj – lloj akuzash, që i kishte të hapura në Prishtinë, Beograd, Pozharevc, Pejë e gjetiu s’kishte asnjë provë të vërtetuar, por e mbanin në burgje. Donin ta thyenin, por kishin hasur në person që nuk përkulej para asnjë sprove. Gjatë hetuesisë dhe seancave gjyqësore, ajo kurrë dhe asgjë s’kishte pranuar. Asnjëherë as që ia kishte përmendur emrin. Ky qëndrim i saj i bënte të tërboheshin hetuesit, të cilët donin ta kryqëzonin.
Hyrie Hana mbyll sytë më 2 korrik të vitit 2004, në moshën 75 vjeçare. Këtu, shkruan Sanije Gashi, përfundon “Jeta ime plot mundime”, një jetë e mundimshme e Hyries.
Posta e Kosovës ka hedhur në qarkullim emisionin e ri të pullave postare në kuadër të tematikës “Femra të shquara kosovare, ku pos Xhevë Krasniqit – Lladrovcit e Katarina Josipit është edhe e pathyeshmja Hyrije Hana, – Populli i Kosovës është krenar me kontributin e jashtëzakonshëm të tyre në çështjen kombëtare dhe të artit skenik. – shkruan në komunikatën e Postës së Kosovës duke vazhduar se të tria kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e vendit tonë. / KultPlus.com