10 Shtator, 2021 - 11:10 pm
‘Vera andrron detin’ me regji nga Kaltrina Krasniqi dhe skenar nga Doruntina Basha së fundmi ka shfaqur premierën madhështore në Festivalin e Venedikut – njërin ndër festivalet më të vjetra dhe rëndësishme të filmit në botë, me ç’rast filmi ka fituar çmimin e ri “Autorë nën 40 vjeç” nga kinemaja “Venezia a Napoli” për regjinë më të mirë, përcjellë KultPlus.
Juria vlerësoi filmin në këtë mënyrë:
Për mënyrën se si ajo tregon, përmes forcës së grave, marrëdhënien komplekse midis të vjetrës dhe të resë, në një vend në rindërtim: fshatin dhe qytetin; patriarkalitetin dhe kërkesat e brezave të rinj. Drejtimi tërheq me saktësi dhe koherencë rruga e aspiratave të drejtësisë së një nëne dhe një vajze, duke lënë në fund aftësinë për të parashtruar pyetje dhe sfida për të ardhmen e një shoqërie të tërë dhe identitetit kombëtar.
Kushtuar drejtoreshës Valentina Pedicini, e cila vdiq më nëntor 2020 në moshën 42 vjeçare, çmimi synon të rrisë autorësinë e re të grave në kujtesën e saj, pasi ajo ka lënë gjurmë me një vizion të guximshëm, etik dhe delikat në kinema.
Dy çmime u jepen autorëve femra nën 40 vjeç, të cilat dallohen për talentin e tyre në regji, skenar, montazh dhe drejtim fotografie për një nga filmat e zgjedhur në ‘Bienalen Orizzonti’ dhe ‘Orizzonti Extra’, ‘Ditët e Venecias’ dhe ‘Javën Ndërkombëtare të Kritikëve’.
Fituesit do të priten gjithashtu në Napoli gjatë “Venezia a Napoli. Il cinema esteso” për një rezidencë artistike dhe ata do të takojnë auditorin në shfaqjen e filmave për të cilët janë shpërblyer.
Në film përditshmëria e qetë e Verës çrregullohet nga vetëvrasja e papritur e burrit të saj që hapë rrugë për një paradë të padëshiruar kërcënimesh nga kushërinjtë që pretendojnë të kenë pronësi mbi shtëpinë e familjes së tyre në fshat. Kur tendencat e një skeme të nëntokës fillojnë të dalin në pah, bota e Verës përballet me rreziqe të cilat duket se do ta fundosin atë. Frika dhe mosbesimi, shtyjnë Verën të marrë fatin e familjes në duart e saj.
E zhytur në një atmosferë të tensionuar, “Vera Andrron Detin” është një portret intim por edhe universal i një gruaje e cila lufton një realitet të vrazhdë pabarazishë gjinore thellë të rrënjosura në shoqëri edhe në ditët e sotme’.
Në film luajnë: Teuta Ajdini Jegeni, Alketa Syla, Refet Abazi, Astrit Kabashi, Arona Zyberi, Aurita Agushi, Ilire Vinca, Xhevat Qorraj, etj. Drejtoreshë e fotografisë: Sevdije Kastrati; Producent: Shkumbin Istrefi.
Vera andrron detin’ është bashkëprodhim në mes të Kosovës (Puntoria Kreative Isstra, Vera Films), Maqedonisë së Veriut (Dream Factory) dhe Shqipërisë (Papadhimitri Productions) i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë – Shqipëri. / KultPlus.com