27 Shkurt, 2020 - 4:00 pm
Pas disa javësh të spekulimeve rreth titullit të vazhdimit të tretë të këtij filmi, më në fund u bë i ditur lajmi se xhirimet e tij kanë filluar si dhe u zbulua titulli i projektit të ri.
Regjisori Colin Trevorrow, ishte ai i cili e postoi një fotografi nga dita e parë e xhirimeve, duke e konfirmuar kështu edhe titullin zyrtarë të tij që është, “Jurassic World: Dominion”.
Realizimi i vazhdimit të tretë në serinë e filmave me buxhet të lartë ishte konfirmuar vitin e kaluar, ndërsa bëhet e ditur se në rolet kryesore kthehen aktorët yje, Chris Pratt, Bryce Dallas Howard dhe Daniella Pineda, transmeton Koha.net. Por, e veçanta e këtij projekti është se, me role të shkurtra do të rikthehen edhe disa prej aktorëve të filmave të parë “Jurassic Park”.
“Krijuesit e filmit kësaj radhe nuk javë kursyer fare dhe i kanë rikthyer edhe aktorët e filmave të parë. Ju premtoj se ky vazhdim, do të jetë më i madhi dhe më i miri i realizuar deri më tani,” citohet të ketë thënë Pratt.
Yjet që pritet ta shënojnë rikthimin në këtë film janë: Laura Dern, e cila e portretizonte Ellie Sattlerin në filin e parë dhe atë “Jurassic Park III”, Sam Neil, i cili e përsërit rolin e Grantit dhe Jeff Goldblum, i cili në filmat e kaluar e ka luajtur rolin e Dr. Ian Malcolmit.
Ky vazhdim i ri vjen pas filmave, “Jurassic World” dhe “Jurassic World: Fallen Kingdom”, ndërsa ende nuk janë dhënë detaje rreth temës të cilën do ta trajtojë.
“Jurassic World: Dominion”, do të lansohet nëpër kinematë botërore më 21 qershor të vitit 2021. /KultPlus.com