26 Korrik, 2017 - 4:43 pm
Ata që pëlqejnë filmat shqiptarë, e njohin mirë Adriana Matoshin dhe shkëlqimin e saj në shumë prej filmave me regjisorë shqiptarë.
Një ndër aktoret që me disa vite bagazh prapa saj vazhdon të shkëlqejë në role artistike, Adriana Matoshi gjithmonë vjen e freskët dhe e mishëruar brenda artit që veç ajo di ta sjellë.
Shembull, roli në filmin “Kthimi” nga Blerta Zeqiri e sjellë një Adrianë gati gati histerike, një grua që nga e qeshura kthehet në pak sekonda në vajtim, kur burri i saj merr vesh se ajo ka një fëmijë me dikë tjetër. Një histori lufte, ku Adriana futet brenda në rol dhe afër aktorit Lulzim Bucolli është një grua që nuk dorëzohet. Me Adrianën filmi arriti suksese të mëdha, në Sarajevë dhe më pas në Sundance Film Festival, dhe kjo tregon për mjeshtërinë e kësaj aktoreje.
Një rol tjetër i Adrianës, e ku ajo jep maksimumin e saj është roli i Valentinës tek filmi “Babai” me regji nga Visar Morina. Një film i prekshëm për historinë e një djali dhe babait të tij, ku Adriana sjellë emocionin e saj. Adriana udhëtoi për në Karlovy Vary me suksesin që arriti ky film.
Dhe Adriana është fantastike edhe në shfaqje. Shfaqja “Zemër e huaj” e bashkon atë me aktorë të tjerë të kalibrit të saj, për një shfaqje që vjen si traktat kundër shoqërive të dobëta të Ballkanit, dhe jo vetëm. Problemet me viza i ka pasur edhe vetë Adriana, dhe brenda kësaj shfaqjeje që niset me përvoja personale ka ditur të mbushë skenën e teatrit. Cinizëm, humor, fjalë të pista, luftë kundër burokracisë, të gjitha i përkthekon Adriana në këtë rol.
Me shfaqjen “Mësimi” nga Bekim Lumi para disa vitesh Adriana Matoshi udhëtoi për në Itali e më pas për në Lugano, e këtu morri edhe çmim për shfaqjen më të mirë. Shfaqjen e blenë më pas italianët. Adriana luan rolin e një 12 vjeçareje, e vetë thotë se ka qenë vështirë të portretizojë dikë të kësaj moshe. Shfaqja është lojë fizike, ku ajo në fund mbytet dhe dhunohet. / KultPlus.com