3 Korrik, 2018 - 8:20 pm
Edhe një film do të mund ta shohim gjatë vitit të ardhshëm në ekranet e mëdha të kinemave shqiptare.
Kështu së paku ka bërë të ditur Fatmir Spahiu, i njohur më mirë si “Oki” i serialit “Kafeneja Jonë”.
Ai përmes një mesazhi në llogarinë personale në Facebook ka treguar se produksioni “Buka” do të jetë pjesë e projektit filmik të titulluar “Illyricvm”.
Në një prononcim për Telegrafin, 37-vjeçari ka pohuar se “producentja e filmit është zonja Ankica Tilic, një emër i madh i kinematografisë evropiane kurse regjisor dhe skenarist është Simon Bogojevic Narath”.
Spahiu më tutje ka falënderuar Qendrën Kinematografike të Kosovës për votimin e projektit, i cili do të jetë koproduksion në mes të Kroacisë, Sllovenisë, Italisë dhe Kosovës.
Fatmiri gjithashtu ka shprehur dëshirën që këtij projekti t’i bashkëngjitet edhe shteti shqiptar pasi që bëhet fjalë për një film për paraardhësit tonë.
Ndryshe, kasta e aktorëve do të përzgjidhet shumë shpejt pasi që të definohen të gjitha detajet rreth filmit.