16 Janar, 2024 - 9:29 am
Përkujtohet sot në katër vjetorin e ndarjes nga jeta, aktori i njohur i teatrit dhe kinematografisë, Xhevdet Ferri.
Ai u lind në qytetin e Durrësit më 26 nëntor të vitit 1960 dhe u nda nga jeta më 16 janar 2020 në moshën 59-vjeçare nga një sëmundje e rëndë.
Aktori u diplomua në degën e artit dramatik të Akademisë së Arteve të Bukura në vitin 1982 ku menjëherë pas përfundimit të studimeve me rezultate të larta, mbeti pedagog i mjeshtrisë së aktorit. Pak vite më vonë ai ka shërbyer edhe si Dekan pranë Fakultetit të Artit Skenik.
Xhoda sikurse e thërrisnin miqtë dhe kolegët gjatë karrjerës së tij artistike interpretoi rreth 30 role në teatër dhe kinema, por në fakt ishte ekrani i kinemasë ai që do ta bënte edhe më të njohur për publikun. Në kinema ai u përkushtua dhe shkëlqeu me talentin e tij duke interpretuar edhe më shumë personazhe se në teatër.
Gjatë karrjerës, Xhevdet Ferri është vlerësuar me disa çmime dhe medalje.
Disa nga interpretimet më të mira të aktorit kanë qenë në produksione si Vëllezër dhe shokë 1980, Gjurmë në kaltërsi 1981, Era e ngrohtë e thellësive 1982, Hije që mbeten pas 1985, Përrallë nga e kaluara 1987, Treni niset në shtatë pa pesë 1988, Vitet e pritjes 1990, Dasma e Sakos 1998, Gjoleka djali i Abazit 2006, Gjallë 2009, dhe interpretimi i tij I fundit ka qenë në filmin Delegacioni në vitin 2018. / KultPlus.com