17 Gusht, 2020 - 9:00 pm
Keanu Reeves ka lavdëruar ekipin e filmit “Matrix 4” për protokollet e tyre efektive dhe të menduara mirë, që kanë mundësuar xhirimin e filmit edhe gjatë pandemisë.
Xhirimi i filmit ka vazhduar, pasi që ishte ndalur për një kohë për shkak të pandemisë së koronavirusit, ndërsa aktori 55 vjeç, i cili do të luajë sërish rolin kryesor, të Neos, është i impresionuar me masat e ndërmarra për ta mbajtur xhirimin të sigurtë. Ai ka thënë se në setin e xhirimeve ka protokolle shumë efektive dhe të menduara mirë, shkruan Female First, transmeton KOHA.
“Ritmi i xhirimit të filmit nuk është penguar aspak. Kjo është për shkak të punës së madhe dhe organizimit të mirë të protokolleve”, ka thënë ai.
Reeves tha se kishte vendosur t’i kthehej këtij filmi për shkak të skriptit të bukur nga Lana Wachowski.
Kur u pyet se cila është arsyeja kryesore pse iu kthye filmit, ai tha: “Lana Wachowski ka shkruar një skript të bukur dhe një tregim të mrekullueshëm në të cilin e gjeta veten shumë”.
“Kjo është e vetmja arsye pse iu ktheva filmit. Të punoj sërish me të është me të vërtetë gjë e mrekullueshme. Ka qenë përvojë e posaçme që nga fillimi dhe tregimi i thotë disa gjëra të rëndësishme, nga të cilat mund të frymëzohemi të gjithë”, tha ai.
Filmi, në të cilin do të luajnë edhe Carrie-Anne Moss dhe Jada Pinkett Smith, së bashku me aktorët e rinj Neil Patrick Harris, Priyanka Chopra dhe Jonathan Groff, pritet të lansohet në vitin 2022, 19 vite pas filmit të tretë “Matrix: Revolutions”.