12 Maj, 2022 - 2:06 pm
Uranik Emini
Në pamje të parë, realizimi i një filmi mund të duket si një gjë shumë e lehtë për t’u bërë. Gjithçka që duhet të bëni është të mendoni për një ide, të shkruani skenarin, të kontaktoni aktorët dhe të rregulloni gjithçka nga xhirimet deri tek realizimi. Megjithatë, shkopi magjik nuk është i pranishëm kur ju bëni gjëra komplekse, siç është edhe pjesa e realizmit të një filmi. Regjisori dhe producenti, Arben Kastrati, ka arritur t’i rikthehet xhirimeve të filmit të tij “Thank you Hague” përkundër vonesës 3-vjeçare që ndodhi si pasojë e pandemisë, e cila ka ndryshuar nga protokollet e zakonshme deri në rutinën e përditshme, shkruan KultPlus.
Fytyrat e të famshmëve nga bota e industrisë së filmit, kulturës dhe politikës po mblidheshin për të kaluar kohën së bashku dhe për të festuar rikthimin e xhirimeve të këtij filmi.
Regjisori Arben Kastrati deklaroi për KultPlus se si rezultat i pandemisë, është shtyrë pjesa e mbetur e filmit, pasi disa prej xhirimeve veçse janë realizuar.
“Është një film të cilin e kam filluar para 3 viteve, por për shkak të pandemisë është shtyrë pjesa e mbetur e filmit, e tani po e vazhdoj, xhirimet me Sir Tony Robinson, e më pas edhe me emra të tjerë të mëdhenj si John Rhys-Davies, Sir Tony Robinson, Claudia Gerini, Patsy Kensit. Po besoj që xhirimet do t’i përfundojmë deri në korrik, ndërsa më pas të vazhdojmë edhe me montazh”, deklaroi ai.
Filmi flet për një periudhë të pas luftës në Kosovë, e tema kryesore ka të bëjë me lindjen e një heroi aksidental, e në film luajnë edhe aktorë vendor, siç janë: Blerta Syla, Xhevdet Doda, Ylber Bardhi, Adriana Matoshi etj.
Sa i përket pjesës se kur do të jetë i gatshëm për t’u paraqitur nëpër kinema të ndryshme botërore, Kastrati beson se viti i ardhshëm do të jetë edhe viti kur ky film do të dalë në publik.
“Nuk e kam me rëndësi në çfarë date të dalë filmi, sigurisht nuk del këtë vit, por po shpresoj që të jetë i gatshëm vitin e ardhshëm të kompletohet. Qëllimi kryesor është që filmi të shfaqet në arenën ndërkombëtare, në Kosovë ekziston pak optimizëm që do të shfaqet. Nuk kam mbështetje e as nuk kam marr ndonjë mbështetje nga institucionet këtu, unë dua që t’i bëjë Kosovës një nder pasi është shteti i imi”.
Ndërkaq, një nga protagonistët e filmit dhe aktori i njohur britanik, Sir Tony Robinson, është shprehur shumë krenar për bashkëpunimin e tij me Kastratin.
“Këta janë munduar që të më sjellin në Kosovë për një kohë të gjatë, njësoj edhe realizimi i filmit pati shtyerje për shkak të pandemisë. Kohë pas kohe mendoja se kjo gjë do të dështojë por ishte pikërisht Beni që insistoi që filmi të bëhej, nuk e kam njohur atë që nga fillimi. Megjithatë, besimi ynë te njëri tjetri po shtohej dhe pritshmëritë për realizimin e filmit gjithashtu po rriteshin”.
Kjo është hera e parë që Robinson viziton Kosovën, derisa ai ndanë me KultPlus edhe histori se si njerëzit në Mbretëri të Bashkuar kanë paragjykime për njerëzit nga Ballkani.
“Kjo është hera e pare që unë po vizitoj Kosovën dhe ndjehem shumë mirë për këtë gjë. Në përgjithësi ne këtu në Mbretërinë e Bashkuar kemi një lloj injorance për Ballkanin, gjë të cilën e kemi ndjerë qysh nga shekulli 19-të. Ne dimë shumë pak për Kosovën, e dimë vetëm pjesën e luftës, e kjo gjë është shumë e keqe. Nuk dimë asgjë tjetër, kemi bërë gjithçka që të ndihmojmë Kosovën por si një shtet ne kemi humbur kujtesën tonë dhe ta shohësh Kosovën duke bërë emër të madh nëpër botë është ndjenjë e mrekullueshme”.
Aktori britanik ka shtyrë regjisorët kosovar që të realizojnë sa më shumë filma për të treguar historitë e tyre të jashtëzakonshme të cilat ky vend i ka.
“Sipas mendimit tim, artistët kosovarë kanë një qëllim të përbashkët, ta paraqesin historinë e shtetit të tyre sa më mirë që mundën. E di që është e vështirë që të sigurojnë fondet, të realizojnë filmin, por neve na duhen filma që paraqesin historinë e këtij shteti. Njerëz nga e gjithë bota janë të interesuar që të dëgjojnë histori të reja. Njerëzit sot nuk dijnë se çfarë marrëdhënie ka Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar, rolin e Tony Blair në luftë dhe shumëçka tjetër”.
I pyetur në qoftë se filmi do të udhëtojë nëpër botë, Robinson thotë se në qoftë se regjisori nuk e mendon këtë gjë nga fillimi atëherë kjo gjë është e kotë, për çfarë po e bën filmin atëherë.
“Unë mendoj që për një aktor, më e rëndësishmja është ta shohësh skenarin dhe të thuash se, po unë mund ta bëjë këtë në mënyrën më të mirë të mundshme, e di se aftësitë e mia përkojnë me këtë skenar dhe do ta luajë si duhet. Është një bonus shtesë që me këtë projekt, përpos rolit, kam dashur që të ngre zërin e Kosovës nëpër botë. Është e kotë që unë të jap ndonjë mesazh të veçantë për kineasit në Kosovë, por ajo se çfarë mund të them është që në qoftë se jeni duke kërkuar një aktor britanik atëherë unë jam super i gatshëm për t’iu ndihmuar”.
Ai premton se do të angazhohet pafundësisht që të ngrijë edhe më shumë zërin se Kosova është një vend i veçantë dhe nuk ka si tregim vetëm pjesën e luftës.
“Sot po shijojmë një natë të mirë, kam takuar njerëz të veçantë dhe është ndjenjë e mirë të rrethohesh me njerëz të tillë. Jam gjithashtu shumë i impresionuar dhe i inspiruar nga njerëzit këtu. Pjesa tjetër që do të bëjë në vazhdim është se, në fund do të kthehem në Angli dhe do t’iu them njerëzve wow, unë vizitova Kosovën, le të vazhdojmë të bëjmë më shumë filma”.
Aktorja e cila shënoi rikthimin e saj në film, Blerta Syla Surroi, ka thënë për KultPlus se ndjehet shumë e lumtur që po merr pjesë në një projekt kaq të madh.
“Unë isha pjesë e xhirimeve të pjesës së parë të filmit që fatkeqësisht na u ndërpre për shkak të pandemisë, e sot ndjehem shumë e lumtur që jam këtu duke festuar rifillimin e xhirimeve të skenave të mbetura”.
Të punosh me një njeri me renome botërore sikurse Sir Tony Robinson, sipas aktores, është një tjetër nder i madh.
“Ndjehem edhe shumë e nderuar që të jem këtu edhe me aktorin Anthony Robinson. E përgëzoj Benin për punën shumë të lodhshme që ka bërë, jam e lumtur për projektin e gjithashtu edhe për Benin. Uroj që xhirimet të shkojnë në mënyrën më të mirë dhe i uroj filmit suksese nëpër festivale botërore”.
Sarah Walkin, si pjesë e stafit të Sir Tony Robinson, thotë për KultPlus se kjo është hera e parë që ata bashkëpunojnë me dikë nga Kosova.
“Kosova ka famë të madhe nëpër botë sa i përket pjesës së kinematografisë, kështu e shoh unë. Ka shumë histori të cilat janë paraqitur edhe në televizor, Kosova ka qenë nëpër televizion shumë shpesh”.
Walkin rrëfen se pjesa e skenarit është momenti kyç kur edhe ata vendosën që të merrnin pjesë në këtë film.
“Arbeni na gjeti neve dhe na dërgoi skenarin, ne na pëlqeu ajo se çfarë pamë dhe vazhduam që të bashkëbisedojmë. Në fakt, ne mendonim se ky film nuk do të ndodhte, por në fund megjithatë ai do të realizohet. Pandemia goditi gjithë botën dhe sigurisht në Britani çdo gjë u mbyll të paktën për një kohë, askush nuk mund të punonte. Me kalimin e kohës, projektet vazhduan që të realizoheshin. Të gjithë njerëzit duhej që të bënin lëshime, nuk ishte as faji i producentëve, ne duhej të ishim të durueshëm në kohë të tilla dhe në fund arritëm edhe bashkëpunimin. Në qoftë se nuk do të ndodhte ky bashkëpunim në kohëra të jashtëzakonshme, shumë projekte do të dështonin”, tha ajo mes tjerash.
Aktori tjetër nga Kosova, Xhevdet Doda, është gjithashtu pjesë e këtij projekti që nga fillimi i xhirimeve të para.
“Jam prej fillimit në këtë projekt dhe kur e kam lexuar skenarin fillimisht e rolin që më është ofruar jam ndjerë i gatshëm që të punojë menjëherë. Puna me Benin është e jashtëzakonshme, ky rol gjithashtu më ka mundësuar që të takohem me aktorë me renome botërore”, tha ai për KultPlus.
Arsyeja kryesore pse ky film është vonuar ka të bëjë pikërisht me pjesën se pandemia e ka penguar zhvillimin e tij, e për këtë Doda thotë se pjesën e karantinës dhe pandemisë në përgjithësi e ka shfrytëzuar duke shikuar filma, e sidomos filma të cilat brenda tyre kanë aktorë të rinj dhe jo shumë të njohur nëpër botë.
“Unë mendoj që kinematografia e Kosovës është një lloj “turshie” që po vjen. Sukseset e saja nuk janë si pasojë e fatit ose diçka e tillë, sukseset janë të natyrshme pasi është bërë punë e madhe. Megjithatë, vazhdoj të besoj se suksese edhe më të mëdha do të vijnë së shpejti”.
Industritë e filmit në të gjithë botën kanë shënuar ulje e ngritje të vazhdueshme në dy vitet e fundit, e bashkë me to kanë ndodhur edhe shumë dështime, por jo në këtë rast.
Të bësh filma nuk do të thotë që thjesht të lidhësh një aparat fotografik mbi një aktor, dhe ta drejtosh atë në fytyrën e tyre e t’i ndjekësh gjatë filmit, nuk është ajo çfarë është krijimi i filmave, nuk është ajo për të cilën bëhet fjalë. Regjisori, skenaristi dhe kinematografi amerikan, William Eubank, ka thënë se të bësh një film është sikurse të ndërtosh një orë, sepse një orë është kaq e vogël dhe mund të vendosësh shumë gjëra brenda saj dhe të gjitha pjesët duhet të punojnë vërtet së bashku. /KultPlus.com