30 Qershor, 2018 - 9:25 pm
Është shpalosur sot programi i filmave nga Ballkani në PRIFEST 2018.
Tradicionalisht, programi i filmave të Ballkanit është një nga programet më interesante të festivalit dhe njëkohësisht edhe programi më i vizituar nga publiku. Një program ku autorët ballkanikë trajtojnë tema të ndryshme nga ky regjion i jashtëzakonshëm në Juglindje të Evropës.
Programi i filmave të Ballkanit, i titulluar ‘Honey and Blood Program’, do të sjell këtë vit gjithsej 10 filma, prej të cilëve nga Kosova janë “Prishtina Story” me regjisore Burbuqe Berisha, “Rooftop Story” me regjisor Gazmend Nela dhe “The Return” (bashkëprodhim i Kosovës dhe Maqedonisë) me regjisor Kastriot Abdyli.
Me një titull simbolik, ashtu sic është edhe vet kuptimi i emrit Ballkan, ‘Gjak dhe mjaltë’ (Honey and Blood) ky program sjell një miks të autorëve tashmë të dëshmuar të rajonit dhe atyre debutues. Nga komedia deri te drama sociale, nga tema lufte deri tek filmat për të rinjë, dhe ajo që është shumë e veçantë, disa filma nga Kosova apo në koproduksion me Kosovën. Këta janë filmat ‘A Prishtina story’ dhe ‘Rooftop story’ nga autorët debutantë Burbuqe Berisha dhe Gazmend Nela, si dhe koproduksionet e Kosovës me Maqedoninë, ‘The Return’ nga Kastriot Abdyli dhe ‘Year of the Monkey’ nga Vladimir Blazevski.
Lista e filmave të Programit Garues Ballkanik – ‘Honey and Blood’:
1. Directions (Bullgari), nga Stefan Komandarev,
2. The Witch Hunter (Serbi), nga Rasko Miljkovic,
3. Men don’t cry (Bosnje dhe Hercegovinë), nga Alen Drljevic,
4. Year of the Monkey (Maqedoni), nga Vladimir Blazevski,
5. Comic Sans (Kroaci), nga Nevio Marasovic,
6. A Prishtina story (Kosovë), nga Burbuqe Berisha,
7. Rooftop story (Kosovë), nga Gazmend Nela,
8. The smell of money (Turqi), nga Ahmet Boyacioglu,
9. Zer (Turqi), nga Kazim Oz,
10. The Return (Maqedoni, Kosovë) nga Kastriot Abdyli.
Audienca e PriFest këtë vit mes datave 17-22 korrik do të mund të përcjellë filma në hapësirat e Teatrit Kombëtar (dy salla), Kinemanë nën qiellin e hapur te Sheshi “Zahir Pajaziti” si dhe në hapësirën tonë më të re, “Kino Armata”.
Gjithashtu, sikur në edicionet e kaluara, edhe sivjet PriFest ofron mundësinë e blerjes së kartelave “All in One”, të cilat kushtojnë 10 euro dhe mundësojnë përcjelljen e të gjitha filmave të festivalit. Për të marrë këtë kartelë mund të na shkruani në [email protected] apo të thirrni në zyrën e festivalit ( +38343714944), ndërsa biletat e filmave, të cilat kushtojnë 3 euro, mund t’i gjeni në biletoren e Teatrit Kombëtar gjatë ditëve të festivalit.