19 Janar, 2023 - 7:45 pm
AQSHF, si një nga partnerët e projektit RECON, u ofroi katër kineastëve të rinj mundësinë për të bërë një film të shkurtër duke përdorur ekskluzivisht materiale arkivore të koleksioneve nga Kinemateka e Malit të Zi dhe Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit.
Një nga aktivitetet e projektit RECON ishte edhe bashkëpunimi rajonal për prodhimin e video-instalacioneve dhe filmave me metrazh të shkurtër duke përdorur material arkivor, pjesë të koleksioneve të dy arkivave. Dy artistë të rinj malazezë të përzgjedhur gjatë një thirrjeje të hapur, realizuan videoinstalacion dhe film me metrazh të shkurtër duke përdorur materiale filmike nga arkivi shqiptar, dhe anasjelltas; dy artistë të rinj shqiptarë punuan me materiale arkivore nga arkivi malazez dhe realizuan secili filmat e tyre me metrazh të shkurtër.
Sot Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit do të shfaqë filmat e projektit RECON: The Echo nga Dario Haruni, “Pse kështu?” me skenar dhe regji të Una Jovovic, “Lemons&Oranges” të Enxhi Nonit si dhe “…a poem a day keeps the war at bay” e Tamara Pavicevic.
Me këtë aktivitet synohet nxitja e bashkëpunimit rajonal, hulumtimi dhe studimi i arkivave e gjithashtu promovimi i historisë, kulturës dhe artit të dy vendeve./ KultPlus.com