27 Tetor, 2020 - 9:03 pm
Në vitin 1999, pas përfundimit të luftës në Kosovë, pjesa më e madhe e qytetit të Pejës u shkatërrua. Kinemaja e qytetit e cila u dëmtua rëndë, ndau fatin e shumë ndërtesave në qytetin e Pejës. Për ta riaktivizuar atë, një shumë e konsiderueshme parash duhej të investohej për të restauruar pjesën më të madhe të ndërtesës. Donatorët e parë u gjetën në Itali, ndërsa ideja fillestare ishte ta shndërronin kinemanë në një teatër klasik, pasi ndërtesa e Teatrit “Istref Begolli” ishte nën kontrollin e KFOR-it italian.
Kinemaja “Jusuf Gervalla” (ish Kino Radi) është ndërtuar me qëllim që të sigurojë një hapësirë kulturore në qytetin e Pejës, ndërsa gjatë periudhës 1955-1998 ka shërbyer si pikë qendrore e aktiviteteve të përbashkëta kulturore për banorët e komunës së Pejës, duke përfshirë kështu shfaqjen e filmave më të fundit, diskutime publike për filma të ndryshëm, koncerte muzikore, shfaqje teatrale dhe programe për fëmijë, duke u bërë kështu një nga institucionet kulturore më të frekuentuara të asaj kohe.
Kinemaja “Jusuf Gervalla”, në të kaluarën është njohur si Kino Rad (“Kinema e Punëtorëve”) u ndërtua në vitin 1955 me paratë e Sindikatës së Punëtorëve. Kinemaja ishte një ndërmarrje e shfaqjes së filmit që në atë kohë quhej Komuniteti Vetëqeverisës i Interesit në Kulturë (SCIC).
Kurse pas investimeve, Asambleja Komunale përmes një vendimi, ia dha kinemanë Anibarit për ta përdorur atë për një periudhë 15 vjeçare. Programi i aktiviteteve që Anibar kishte prezantuar përfshinte aktivitete si: shfaqja e filmit, panele diskutimesh dhe debate, koncerte, duke mos përjashtuar punëtori të ndryshme dhe zhvillimin e Akademisë së Animacioneve.
“Kinemaja e qytetit është pikëtakim i së kaluarës dhe i së ardhmes, i aktivizmit qytetar për avansim shoqëror, pajtimit dhe vend i mundësive të reja për dije dhe kreativitet. Kinema Jusuf Gërvalla shërben si hapësirë alternative ku organizohen aktivitete kulturore, festivale, ngjarje, shfaqje filmave, diskutime etj. Ndërtesa renditet si monument historik në listën e Trashëgimisë Kulturore Kombëtare” tha Vullnet Sanaja, drejtor ekzekutiv dhe bashkëthemelues i Anibarit, për KultPlus.
Pas luftës, përmes ndihmës së dhënë nga një organizatë donatore nga Italia kinemaja është rindërtuar, rindërtimi filloi më 1 Korrik 2000, dhe kinemaja u rihap në shkurt 2001. Ndërtimi i përfunduar në këtë fazë nuk ka qenë në pajtim me kodin e ndërtesave të trashëgimisë kulturore për të ruajtur formën dhe arkitekturën e kohës, për këtë arsye ndërtesa ka humbur një pjesë të identitetit të saj, e cila mund t’i rikthehet përmes një programi të mirëfilltë të restaurimit.
Kinemaja i jep mundësi te rinjve që të organizojnë tubime të ndryshme kulturore, siç janë aktivitete muzikore, shfaqje teatrale, promovime dhe fjalime.
Dimal Stublla qytetar nga Peja tregon se pse është kino e rëndësishme dhe se çka duhet të ndryshojë.
“Personalisht kam marr pjesë në shumë aktivitete gjatë viteve. Kino mendoj që është i rëndësishëm, pasi që Pejës si qytet i ka humbur sensi kulturor”, ka thënë ai.
Komuna e Pejës ka kaluar nëpër procedurën e alokimit për përdorim afatshkurtër të pronës së paluajtshme komunale, kryer përmes procedurës së ankandeve publike përmes të cilave procedura Anibar-it i është dhënë koncesioni për 15 vitet e ardhshme, çka do t’i mundësojë Anibar-it ta rivitalozojë, rimëkëmbë dhe t’ia rrisë vlerën ndërtesës përmes strategjisë së tij të zhvillimi dhe programit të paraparë për avancimin kulturor të kinemasë.
Në Kinema Jusuf Gërvalla shfaqen filma-dokumentar, të animuar, të metrazhit të gjatë dhe të shkurtër, zakonisht shfaqen filma artistikë dhe alternativ.
Kinemaja Jusuf Gërvalla ka një program vjetor të rregullt. Programi aktual i Kinemasë përfshin shfaqje filmash, diskutime publike, netë poezie, koncerte, përformanca, dhe aktivitete tjera kulturore.
Kino nuk duhet të qëndroj gjithmonë si pjesë e një organizate, thotë Ariston Lipa qytetar nga qyteti i Pejës, i cili ka mbajtur edhe një aktivitet rreth robotëve në Kino.
“Shumica aktiviteteve janë të Anibar që ndodhin në kinema. Për momentin involvimi është veç si vullnetar, po s’ka shumë aktivitete përveç menaxhimit të kinos dhe kur ka ndonjë event si frankofonia ose shfaqja e ndonjë filmi. Unë kam mbajt me Anibar një aktivitet, është quajtur “Cute Robots” ka qenë aktivitet me fëmijë 5-7 klasë të cilët do ndërtonin robota skulpturë prej pjesëve elektronike të vjetra… Kinemas i mungon një mision, qëllimi objektiv specifik se ku dëshirojmë të arrij mbas 3-5 viteve, jo vetëm një organizatë ta menaxhoj dhe ta përdor si zyre e kohë pas kohë të bëjë aktivitet koti”, ka thënë ai.
Anibar filloi negociatat me Komunën e Pejës që nga viti 2014 për të rritur numrin e aktiviteteve në kinema, megjithëse Anibar kishte përdorur kinemanë që nga viti 2010 për aktivitetet e saj. Vetëm në vitin 2014 kinemaja filloi të ringjallet me programe, pas negociatave të shpeshta me Komunën e Pejës, të cilat vërtiteshin rreth qëllimit të rritjes së numrit të aktiviteteve të kinemasë, të cilat njëkohësisht do të kontribuonin në ringjalljen e ndërtesës e cila ka qenë pasive në vite.
Kino Jusuf Gërvalles i mungon leja për shfaqjen e filmave në suaza të rregullta, dhe mundësi iu jep vetëm aktiviteteve të cilat janë të aprovuara nga Drejtorati i Kulturës dhe Sportit.
“U jap mundësinë ta shfrytëzojnë hapësirën dhe paisjet e kinos për aktivitete të aprovuara nga Drejtorati i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në qoftë se do të rifunksionalizohej, rëndësia e kinos do të vinte në konsideratë në aspektin kulturor dhe rekreativ. Ndryshimet në Kino do të ishin logjistike (paisjet) dhe administrative (leje për shfaqjen e filmave në suaza te rregullta). I mungon qëllimi. nuk plotëson aktivitetet që nënvizohen në fjalinë “kino-teatri i qytetit”. Andaj momentalisht do e cilësoja si objekt me potencial për zhvillim”, thotë Kastritot Lipa .
Kinemaja ka qenë prej kohësh dhe mbetet edhe sot, vitrina më e mirë për filmat e rinj. Disa filma mund të qëndrojnë në kinema për disa javë me radhë, ndërsa të tjerët mund të zhduken shumë shpejt. Një gjë është e sigurt – filmat nuk shfaqen thjesht në kinema rastësisht.
Sidoqoftë, kinemaja e vetme e qytetit të Pejës ende nuk funksionon me aktivitete të përditshme për shkak të mungesës së kushteve teknike, siç është një projektor dixhital që do të mundësonte shfaqjen e filmave më të rinj. Pavarësisht nga këto vështirësi, mund të thuhet se Kinema “Jusuf Gervalla” është burimi alternativ më efektiv i programeve edukative-kulturore./ Diona Krasniqi/ KultPlus.com