22 Qershor, 2022 - 11:00 pm
Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit po vijon nismën për ta çuar filmin sa më pranë publikut dhe jo vetëm në kryeqytet.
Programi “Open Cinema” ose “Kinemaja shëtitëse”, parashikon një sërë aktivitetesh verore dhe vjen si bashkëpunim i AQSHF dhe Cinema Production.
Këtë verë, filmi shqiptar dhe i huaj do të “shëtisë” në sheshet e disa qyteteve të Shqipërisë, duke shtuar një aktivitet më shumë edhe për pushuesit gjatë sezonit veror.
Pas shfaqjeve të suksesshme në Kukës, kinemaja shëtitëse nisi mbrëmjen e 21 qershorit, ndalesën 3-ditore në qytetin e Beratit, me shfaqjen e filmit “Vdekja e kalit”. Në shfaqjen e filmit ishin të pranishëm edhe një pjesë e krijuesve si dhe aktorëve protagonistë.
Të pranishmit mundën të dëgjonin edhe mbresat e kujtimet nga regjisori i filmit, Saimir Kumbaro, aktorët kryesorë Timo Flloko e Rajmonda Bulku, në praninë e drejtoreshës së AQSHF, Marinela Ndria.
Edhe sot “Kinemaja shëtitëse” do të projektojë një tjetër film në Berat, për të vazhduar më tej, misionin e saj në të tjera qytete./atsh/ KultPlus.com