Kinematografia franceze në Javët e Kulturës Ndërkombëtare

28 Prill, 2022 - 7:00 pm

Nga data 27 prill ka nisur programi i javëve kulturore në Shqipëri me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga 18 vende të botës.

Ky event i rëndësishëm, konsiderohet si parada shumëngjyrëshe e kulturave, traditave, shijeve, eksperiencave që do të shoqërojë përgjatë gjithë vitit, jetën kulturore artistike të vendit me një program të pasur e të larmishëm nga të gjitha zhanret artistike.

Mbrëmjen e së enjtes ishte radha e kinematografisë franceze

Në kinemanë e hapur, përpara sheshit të Galerisë së Arteve, në Tiranë, në një atmosferë festive, mes miqsh të ardhur nga vende të ndryshme të botës, u shfaq filmi “Les parapluies de Cherbourg”,  i dyti film nga retrospektiva e regjisorit Jacques Demy që u ndoq me interes të veçantë nga publiku artdashës.

Për publikun shqiptar, kinematografia franceze e cila shënoi një revolucionarizim të mjetit filmik, është mjaft e njohur dhe e dashur, si për sa i takon kasës së regjisorëve, autorëve  por edhe të aktorëve me ndikim të madh në kinematografinë botërore.

Ndërsa në sheshin “Nënë Tereza”, performoi mbrëmë ZAHRBAT një trupë baleti bashkëkohor të cilët sot do të jenë në Vlorë në Lungomare për të performuar në kuadër të Javës Kulturore Franceze.

Javët e Kulturës Ndërkombëtare, në Shqipëri është një nismë e Qeverisë Shqiptare që nuk synon thjeshtë të mbushë jetën tonë kulturore, as të promovojë kulturat e vendeve të tjera, por të vendosë ura komunikimi, bashkëpunimi mes artistëve, profesionistëve të të gjitha fushave e në veçanti, duke krijuar rrathë, që nga Shqipëria do të prezantojnë në të gjithë botën.

Sot është Shqipëria që pret botën në shtëpinë e saj, nesër do të shkoj Shqipëria në skenat ndërkombëtare./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme