Kino ARMATA, fton artdashësit të diskutojnë për mënyrën e funksionimit të kësaj hapësirës në të ardhmen

18 Prill, 2018 - 11:00 am

Kino ARMATA, shtëpia e filmit dhe kulturës, prej kësaj jave ka filluar misionin e saj në promovimin e shprehjeve alternative artistike.

Pak prej banorëve të Prishtinës e mbajnë mend si kinema ku në vitet e ’80-ta janë shfaqur filmat me Bruce Lee, Bud Spencer dhe Terence Hill, Asterix, e heronj tjerë të kinematografisë së asaj kohe; deri tash ajo ka qenë e mbyllur për publikun e gjerë.

Për këtë shkak ftohen të gjithë artdashësit (por jo vetëm) në takim joformal këtë të premte, 20 prill, prej orës 18:00, ku do të ketë diskutim për mënyrën se si do të funksionojë hapësira në të ardhmen.

“Ndoshta dikush do të vijë vetëm për çështje nostalgjie, por ju inkurajojmë që të vini me ide dhe rekomandime të cilat do të na ndihmonin në krijimin e platformës programore e cila është ende në konceptim. Mos hezitoni t’i merrni edhe fëmijët në takim, sepse mendojmë se rritja e tyre në atmosferë të shëndoshë kulturore është shumë e rëndësishme për zhvillimin e mirëfilltë shoqëror”, thuhet në ftesën e menaxhuesit të kësaj hapësire Alush Gashi.

“Gjatë takimit do të lëshojmë (dhe ekzekutojmë) muzikë të improvizuar, kështu që kush donë mund t’i sjellë instrumentet e veta muzikore dhe të na bashkangjitet në skenën e kinemasë. Duke qenë se hapësira ende nuk është plotësisht funksionale, në frymën më të mirë të organizimit komunal ju ftojmë të sjellni pije dhe freskim për vete”, thuhet tutje në njoftim./ KultPlus.com
https://www.facebook.com/events/184450392277778/

Të ngjajshme