4 Mars, 2025 - 11:00 pm
Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit nënshkruan një marrëveshje për të rikthyer kujtesën kolektive përmes analizës së filmave dhe dokumenteve arkivore.
Me mbështetjen e Fondacionit Konrad Adenauer, kjo iniciativë synon të nxjerrë në dritë realitetin e periudhës komuniste.
“Klubi i Filmit” do të jetë një hapësirë diskutimi për filmat e realizmit socialist dhe përqasjen e tyre me dokumentet e Arkivit të ish-Sigurimit të Shtetit.
Përveç shfaqjes së filmave dhe analizave historike për të zbuluar propagandën e fshehur në kinemanë e kohës do të ketë diskutime me studiues, kineastë dhe ekspertë mbi ndikimin e këtyre filmave në shoqëri.
Filmat që do të analizohen janë: “Toka Jonë”, “Komisari i Dritës”, “Shokët”, “Vajzat me Kordele të Kuqe”, “Thirrja”, “Nata e Parë e Lirisë” dhe “I Teti në Bronx”.
Gjithashtu do të ketë diskutime të hapura me akademikë dhe studentë, Radio Televizionin Shqiptar, Autoritetin e Mediave Audiovizive dhe pushtetin vendor.
Sipas AIDSSH-së, filmat propagandistikë krijuan një realitet të shtrembëruar, duke ndikuar në perceptimin e historisë dhe duke përçmuar kundërshtarët politikë.
“Kjo nismë sjell një analizë të thelluar për të ndarë faktet nga manipulimi”, tha AIDSSH./atsh/ KultPlus.com