24 Nëntor, 2021 - 10:30 pm
Koreja Veriore ka dënuar me vdekje një burrë që kontrabandoi dhe shiti kopje të serisë së famshme, “Squid Game”, pasi autoritetet kapën shtatë nxënës të shkollës së mesme duke e shikuar serinë e popullarizuar, i thanë burimet në këtë shtet Radios Azia e Lirë.
Përktheu: Nasuf Abdyli
Thuhet se kontrabanduesi kishte sjellë një kopje të serisë në Korenë Veriore nga Kina dhe kishte shitur USB me këtë seri. Burimet thanë se dënimi do të zbatohet përmes skuadrës së pushkatimit, shkruan Radio Azia e Lirë.
Një nxënës që bleu një USB me këtë seri është dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa gjatë të tjerë, të cilët e shikuan serinë, janë dënuar me pesë vite punë të rëndë. Mësuesit dhe administratorët e shkollës janë shkarkuar nga puna dhe përballen me dëbim për të punuar vetë ose në miniera, thanë burimet.
Radio Evropa e Lirë raportoi javën e kaluar se kopjet e serisë me skena të dhunshme kishin arritur në shtetin e izoluar pavarësisht përpjekjeve të autoriteteve që të mos lejohet depërtimi i medieve të huaja. Kopjet besohet se filluan të shpërndaheshin përmes USB-ve dhe kartelave SD.
E tëra kjo filloi javën e kaluar, kur një nxënës i shkollës së mesme në mënyrë të fshehtë bleu një USB me dramën e Koresë Jugore, Squid Game, dhe e shikoi atë me një nga shokët më të mirë në klasë”, i tha një burim i organeve për sundimin e ligjit në provincën e Hamgyong-ut Verior Shërbimit Korean të Radios Azia e Lirë të hënën.
Sipas burimit, arrestimi i pesë nxënësve e shënon herën e parë që qeveria koreane po e zbaton ligjin e miratuar së fundi për “Eliminimin e Mendimit dhe Kulturës Reaksionare” në një rast ku përfshihen të miturit.
Në bazë të ligjit të ri, shikimi, mbajtja ose shpërndarja e medieve nga shtetet kapitaliste, veçanërisht Koreja Jugore dhe Shtetet e Bashkuara, mund të dënohet maksimalisht me vdekje. / KultPlus.com