27 Mars, 2020 - 12:30 pm
Mbyllja e kinemave kudo nëpër Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kinë kanë shtrënguar studiot filmike që ta rimendojnë mënyrën se si t’i transmetojnë filmat.
Gjatë pikut të përhapjes së virusit në Kinë, një film i shumëpërfolur u transmetua drejtpërsëdrejti në një platformë online dhe është shikuar nga më tepër se gjysmë miliardi shikues.
Studiot amerikane të filmit do ta pasojnë këtë hap dhe tanimë janë duke i lancuar filmat online, paralelisht me transmetimin e tyre nëpër kinema.
Industria megjithatë është duke u ballafaquar me humbje prej më tepër se 15 miliardë dollarësh këtë vit, shkaku i koronavirusit, ka bërë të ditur një ekspert.
SHBA-ja dhe Kina janë tregjet më të mëdha botërore për adhuruesit e filmave, bazuar në shitjet e tyre nëpër arkat filmike. Por këto dy shtete janë ballafaquar me vështirësi të shumta shkaku i koronavirusit, përhapja e të cilit ka shtrënguar kudo mbylljen e kinemave.
Kina ka rreth 60 mijë kinema përgjatë vendit, të cilët janë mbyllur që në fillim të janarit.
Ky afat kohor ka goditur rëndë industrinë e filmit, pasi që ndodhi pak para pushimeve për Vitin e Ri kinez, i cili normalisht shënon rritje prej 2 miliardë dollarësh në arkat filmike.
Duke qenë një film me pritshmëri të mëdha, “Lost in Rusia” u transmetua drejtpërdrejt në një uebfaqe dhe u shikua nga më shumë se 600 milionë shikues, kanë bërë të ditur mediat kineze. Ai ishte i qasshëm pa pagesë falë gjigantit kinez të teknologjisë “ByteDance”, që u transmetua përmes dy platformave të saja të “streamingut”. /KultPlus.com