13 Maj, 2018 - 12:01 pm
Duke pasur parasysh faktin se bashkëpunimi i ndërsjellë mund të shërbejë në zhvillimin e prodhimit të filmit dhe të inkurajojë zhvillimin e mëtejshëm të lidhjeve kulturore dhe teknologjike midis dy vendeve; Duke pasur parasysh se bashkëprodhimi mund të jetë i dobishëm për industritë filmike të vendeve tona dhe të kontribuojë në rritjen e industrisë së filmit, televizionit, videove dhe industrive të reja të prodhimit dhe distribuimit në Kosovë dhe Maqedoni; Duke kujtuar “Marrëveshjen ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për Bashkëpunimin në fushën e Kulturës, nënshkruar në Prishtinë më 8 shkurt 2013”, sot në Festivalin e Kanës Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Agjencia e Filmit e Maqedonisë kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëprodhimit.
I pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit ishte edhe Ministri i Kulturës Kujtim Gashi i cili u shpreh: “Është kënaqësi e veçantë të jem prezent në këtë moment historik të lidhjes së kësaj marrëveshje e cila do të shërbej edhe më shumë për bashkëprodhimet në fushën e filmit, por edhe të njohjes së kulturës në mes të dy vendeve. Ministria e Kulturës çdo here do të jetë afër iniciativave të tilla që i fuqizojnë marrëdhëniet ndër fqinjësore”.
Drejtori i Agjencisë së Filmit të Maqedonisë tha se: “Maqedonia dhe Kosova kanë bashkëpunim shumë të thellë në fushën e filmit, dhe sot si rezultat kemi këtë marrëveshje shumë me rëndësi për të ardhme e filmbërësve tanë”.
“Ky është një moment shumë i veçantë, sepse nënshkruhet marrëveshja e parë e këtij lloji, dhe pikërisht me shtetin fqinjë me të cilin kemi një histori të shkëlqyeshme të bashkëprodhimit” u shpreh me rastin e nënshkrimit drejtori i QKK-së z. Arben Zharku.
Maqedonia është një ndër mbështetësit më të mëdhenj të kinematografisë Kosovare, vetëm brenda vitit të fundit katër projekte kanë gjetur mbështetje.
Kosova pritet të nënshkruaj marrëveshje të bashkëprodhimit edhe me disa shtete tjera fqinje./ KultPlus.com