29 Korrik, 2022 - 6:18 pm
Kosova po merr vëmendje të veçantë në edicionin e sivjetmë të festivalit ndërkombëtar të filmit New Horizons në Wroclaw të Polonisë, i cili ka filluar më 21 korrik 2022 dhe do të përmbyllet më datën 7 të muajit të ardhshëm.
Në mesin e filmave nga mbarë globi, New Horizons dedikon hapësirë të theksuar për filmin kosovar, me program të vecantë të titulluar “Kosova në fokus”. New Horizons e përshkruan kinematografinë kosovare si një “produkt të çmueshëm filmik”, i cili reflekton energji të jashtëzakonshme.
“Një hero i vecantë i këtij edicioni të New Horizons do të jetë edhe kinemaja kosovare – energji e jashtëzakonshme rinore, e cila fuqishëm depërton përtej ekranit. Si pjesë e programit ‘Kosova në fokus’, ne do të mund të shohim kinematografinë më të re në botë. Historia e saj e shkurtër qëndron në përpjestim të zhdrejtë më numrin e madh të çmimeve dhe vlerësimeve të marra nga festivalet botërore”, thuhet në webfaqen zyrtare të festivalit.
“Temat e ngritura nga kinemaja e re e Kosovës janë pa pritur ato që realisht na shqetësojnë më së shumti sot dhe që janë më therrëset. Është një injektim gjaku i freskët në qarkun e parashikueshëm të kinemasë evropiane, një shenjë e pashlyeshme në glob, dhe një pavarësi artistike që nuk mund të mbetet e panjohur. Më vjen mirë që ky ferment lindi në një pjesë të hartës, historinë e trazuar, ambiciet dhe gabimet e së cilës ne ndajmë” shton Małgorzata Sadowska, kuratorja e programit.
Në kuadër të “Kosova në fokus” do të shfaqen filmat kosovar: “Zgjoi”, “Vera andrron detin”, “Në kërkim të Venerës”, “Luaneshat e kodrës”, “Shpia e Agës”, “Pa vend”, “Në mes”, “Exil”, dhe “Gardhi” të mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, si dhe ‘When It Left, Death Did Not Even Close Our Eyes’ dhe ‘Greetings from an Elsewhere’ filma të shkurtë prodhime të pavarura kosovare.
https://www.nowehoryzonty.pl/lista.do?typ=cykl&art=true&idCyklu=1015 – linku zyrtar i festivalit. / KultPlus.com