26 Shkurt, 2020 - 1:10 pm
Jeta Zymberi
I nisur në shkurt të vitit 2016, filmi i parë shqiptar i animuar i metrazhit të gjatë “Zhak”, pas katër viteve punë intensive ka arritur deri te xhirimet përfundimtare.
Duke pas parasysh që një film i animuar i metrazhit të gjatë po xhirohet për herë të parë në Kosovë edhe vështirësitë nuk janë të pakta, vitet 2016-2017 kanë qenë më shumë testime të teknologjisë.
I bazuar në përrallat shqiptare popullore, filmi tash ka ardhur në pikën përfundimtare dhe ka nisë xhirimet të cilat pritet të zgjasin rreth 6 muaj.
Themeluesit e neoFILMS, njëherit skenaristë dhe regjisorë të filmit “Zhak”, Ilirjana Bejta dhe Dalip Gashi pas një pune plotë përkushtim, janë të bindur që filmi do të realizohet në mënyrën më të mirë të mundshme.
Xhirimet e filmit kanë filluar para dy dite, por sipas regjisores Bejta, puna po ecën mirë dhe duke i pas parasysh rrethanat dhe problemet e mundshme teknike ajo beson se këto xhirime do zgjasin rreth 6 muaj.
“Ky tip filmi kërkon angazhim pothuajse tre herë më shumë se sa një film jo animacion dhe kërkon më shumë se tre herë teknologji dhe përsëritje të proceseve të njëjta, ku dallon vetëm fokusi, si rezultat ka qenë jashtëzakonisht e vështirë, por, sipas nesh, është i vetmi version përmes së cilit mund të konkurrojmë me kualitetin që aktualisht është prezent në botë, në veçanti në US”, ka thënë regjisorja, duke treguar tutje se problem tjetër është kualiteti i fotografisë 4K dhe mbështetja e teknologjisë Real D 3D dhe IMAX, që gjithashtu kërkohet Sound Effects me kualitet 5.1 Dolby Digital, proces i cili nuk mund të realizohet në asnjë vend të rajonit, prandaj paraqet problem dhe gjithsesi duhet të realizohet jashtë shtetit. Sa i përket muzikës dhe sound effects ajo pohon se tashmë janë në diskutime me disa kompani të ndryshme në LA.
Ky projekt është i gjerë dhe ka rreth 120 personazhe, 80 prej tyre kërkojnë aktor dhe aktore specifikisht të dedikuar për rolet në fjalë, por në përgjithësi kërkon rreth 250 pjesëmarrës, ushtarë dhe statistë të ndryshëm.
“Pjesëmarrja e aktorëve është e rregulluar në atë mënyrë që përgjatë procesit të animacionit angazhohen sipas nevojës. Momentalisht i angazhuar në rolin e Zhakut është Dukagjin Podrimaj, në rolin e ‘Babait të Verbër’ është i angazhuar Shaqir Bejta dhe në rolin e ‘Motrës së Zhakut’ është e angazhuar Vjosë Tasholli.
Duhet ta kemi parasysh që të njëjtin rol mund dhe do ta ndajnë disa aktor, roli ndahet në tri pjesë; lëvizjet e trupit, lëvizjet e fytyrës dhe zëri (Voice Over).”
Për ‘Voice Over’ (zërin) produksioni po bën përpjekje që të angazhojmë edhe aktor të njohur Hollywoodian anëtarë të Motion Pictures Association, disa prej tyre tashmë edhe i kanë kontaktuar.
Ashtu si në secilën fushë kur diçka realizohet për herë të parë në një vend, respektivisht në Kosovë, ku përkrahja për këtë tip filmi mungon. Duke pas parasysh këtë fakt, filmi i animuar në Kosovë ka vështirësi të dyfishta.
“Problemi elementar është mungesa e informacionit praktik, mungesa e përvojës, prandaj gjithçka deri më tash na ka marr kohë dy herë më shumë se që duhet, sepse secilin problem praktik, kryesisht teknologjik, është dashtë ta zgjidhim me forcat tona”, ka treguar Ilirjana rreth vështirësive.
Pjesa teknike është elementi i parë që duhet krijuar kushtet e përshtatshme për të nisur xhirimet, por neoFILMS kanë arritur të kompletojnë një ekip mjaft të mirë.
“Duke e pas parasysh që jemi kompania e vetme në Kosovë e këtij lloji (full SGI VFX) ka qenë e vështirë të krijohet ekipa adekuate, por sot kemi një ekipë prej rreth 25 vetash shumë profesionist dhe pothuajse secili nga ta është generalist, veçanti e rrallë në këtë fushë. Kemi organizuar trajnime të ndryshme, kryesisht online dhe sot dy nga ekipa jonë janë të licencuar nga Autodesk Maya; Valon Iseni dhe Diar Pepiqi, gjithashtu brenda vitit presim që së paku edhe pesë të tjerë të licencohen. Licencimi nga kjo kompani gjigande dëshmon që realisht edhe ne mund të jemi konkurrent për botën sa i përket realizimit dhe kualitetit në fushën e 3D dhe animacionit. Është shumë e rëndësishme të përmendet gatishmëria e të rinjve tanë dhe potenciali i jashtëzakonshëm që po tregojnë në këtë fushë.”
Filmi është në gjuhën angleze dhe është duke u punuar për tregun amerikan, por filmi pritet të jetë shumë i suksesshëm edhe në Kosovë.
“Filmi “Zhak” do të shpërndahet në gjithë botën dhe kemi besim se po të njëjtin sukses do ta ketë edhe në Kosovë, duke pasur parasysh që gjithçka është produkt 100% i Kosovës.”
Filmi ka një buxhet të madh prej afër 4 milionë euro, por kjo shumë sipas regjisores nuk është e mjaftueshme.
“Në fakt buxheti prej 4 milion eurosh është buxhet tepër i ulët për natyrën e filmit “Zhak”, nëse ky film me të njëjtin kualitet do të prodhohej në USA, buxheti i nevojshëm për të do të duhej të ishte së paku rreth 90 milion euro. Deri këtu i gjithë investimi ka qenë me baza vullnetare dhe të gjithë investitorët janë të publikuar në IMDb. Aktualisht jemi në diskutime me investitor vendor dhe të jashtëm në mënyrë që investimin prej 4 milionësh ta bëjmë së paku 10 milion.”
Për kohës se kur pritet premiera, regjisorja Bejta ende nuk mund të japë një kohë të caktuar, por megjithatë dihet që premiera do të jepet në Los Angeles.
“Duke e pas parasysh natyrën e filmit dhe kërkesën e jashtëzakonshme teknologjike dhe për shkak të problemeve eventuale teknike, është herët të përcaktohet premiera. Ndërsa premiera do të bëhet në Los Angeles dhe me disa nga distribueret që kemi kontakt kanë shpreh interes që të mos kufizohemi me vetëm një premierë. Përveç në US, projekti do të dal njëkohësisht nëpër të gjitha kinematë botërore.”
Filmi “Zhak” është duke u punuar me kujdes të veçantë dhe pretendimet nuk janë vetëm komerciale, por edhe artistike.
“Vet fakti që do shpërndahet në US dhe do të ketë të angazhuar dy ose më shumë anëtarë të Motion Pictures Association e bënë kandidat potencial për pjesëmarrje në “Oscars”. Gjithashtu natyra e filmit “Zhak” është natyrë që përfshinë shikueshmëri nga grupmosha të ndryshme dhe nga shpërndarja botërore padyshim që presim edhe përfitime”.
Krejt për fund ajo nuk harroi të falënderoj ekipin e filmit pa të cilët realizimi do të ishte i pamundur: Valon Iseni, Jeton Dajakaj, Valmir Gashi, Diar Pepiqi, Dardan Ejupi, Yll Sulejmani, Bekir Avdiu, Denis Deliu, Viktor Gashi, Dardan Rexha, Elvi Krasniqi, Vissar Rexha, Gramoz Hoxha, Endrit Gjini, Flamur Gashi, Korab Cena, Endrit Vitija, Sadik Sejdiu. / KultPlus.com