5 Dhjetor, 2022 - 1:30 pm
‘Në kërkim të Venerës’ me skenar dhe regji nga Norika Sefa, film i cili është përzgjedhur nga komiteti selektues si kandidati që propozon Kosova në garën e Akademisë së Çmimeve të Oscars për vitin 2023, po vazhdon të korr suksese në festivalet ndërkombëtare, shkruan KultPlus.
Kësaj radhe një lajmi mirë vjen nga Roma. Aktoret tona, Kosovare Krasniqi dhe Rozafa Çelaj, kanë fituar Çmimi për aktoren më të mirë në Festivalin e Filmit Ballkanik 2022 për rolin e tyre në filmin “Looking For Venera”.
“Për të qenë në gjendje të shpreh brishtësinë dhe forcën e dy vajzave të reja brenda shoqërisë po aq të re kosovare, të ndara mes vlerave të traditës dhe modernitetit”, është përshkrimi që i është bashkangjitur këtij çmimi.
Filmi përcjellë adoleshenten e qetë Venerën (luajtur nga Kosovare Krasniqi) që jeton në një qytet të vogël në Kosovë. Në shtëpi, ku tre breza jetojnë së bashku në një shtëpi të vogël, ajo nuk ka aspak privatësi.
Me producent Besnik Krapin, drejtor fotografie Luis Armando Arteaga, montazha Stefan Stabenow, skenografia Arben Shala, zëri Risto Alchinov, kostumografia Desantila Lika, grimi Lidona Berisha. Në film luajnë: Kosovare Krasniqi, Rozafa Çelaj, Erjona Kakeli, Basri Lushtaku, Bleon Makolli, Fatushe Nushi, Ajan Zharku, Ermal Bilalli, Tristan Halilaj, Shend Miftari, Anisa Ismajli, Sheqerie Buqaj etj.
“Në kërkim të Venerës” është bashkëprodhim në mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Agjencia për Film e Maqedonisë së Veriut, Komuna e Prishtinës dhe Komuna e Kaçanikut. / KultPlus.com