18 Korrik, 2017 - 2:39 pm
Mbrëmë nën qiellin e hapur, në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytet, në kuadër të PriFilmFest u shfaq filmi “Kosovo Calling”, me regji nga Eki Rrahmani, skenar të Jeton Kulinxha, ndërsa producent i filmit është Fisnik Ademi.
Filmi “Kosovo Calling” trajton jetën e një familje kosovare, pas luftës së fundit të Kosovë.
Është kjo familja e Bacës Zekë, në të cilën lufta e fundit ka lënë gjurmë të mëdha, pasojat e të cilave vazhdojnë edhe pas luftës. Disa anëtarë të familjes të vdekur, disa të tjerë me trauma. Filmi pasyron jetën e kësaj familje e cila mundohet të gjejë kuptim në rrethanat e reja në të cilat gjenden pas luftës.
Baca Zekë, i cili humbi gruan në luftë, vdes pas lufte nga pleqëria, me dëshirën e vetme për të parë djalin e tij Bekimin, të cilin lufta e kishte dërguar të traumatizuar në Angli, pasi kishte parë me sytë e tij vdekjen e nënës dhe gruas së vëllait. Bekimi disa vite pas luftës, asnjëherë nuk mundi të tejkaloj traumën dhe tmerrin që kishte parë, dhe asnjëherë nuk mblodhi forcën të kthehet në vendlindje dhe të ballafaqohet me atë realitet, shkruan KultPlus.
Personazhet e “Kosovo Calling” luhen nga aktorët: Çun Lajçi, Armond Morina, Fisnik Ademi, May-Linda Kosumovic, Valina Muqolli, Arbneshë Nixha, Luan Kryeziu, Kushtrim Sheremeti, Anisa Ismaili, Adrian Morina dhe Shkelzen Veseli.
Festivali i filmit PriFilmFest ka filluar prej datës 13 korrik dhe çdo natë deri me datën 20 korrik, të gjithë mund të shijojnë filmat që sjell ky festival, në hapësirat e Teatrit Kombëtar, Kinema nën qiellin e hapur te Sheshi “Zahir Pajaziti” ku hyrja është falas për të gjithë, në Kino ABC dhe në Kinemanë tjetër nën qiellin e hapur te Amfiteatri i Muzeut Kombëtar. / KultPlus.com