Krijuesit e “Game Of Thrones” nënshkruajnë marrëveshje 200 milionë dollarëshe me Netflix

11 Gusht, 2019 - 8:30 pm

Krijuesit e “Game Of Thrones”, David Benioff dhe D. B. Weiss janë dakorduar ta bëjnë një marrëveshje të përgjithshme ekskluzive për të prodhuar filma dhe seriale televizive për Netflixin.

Sipas The Hollywood Reporter, marrëveshja “peshon” 200 milionë dollarë, dhe do ta shënojë përfundimin e lidhjes së dyshes me HBO-në, ku ata ishin showrunnerë dhe skenaristë të Game of Thrones për tetë sezone.

Tani Benioff dhe Weiss do të punojnë në projekte ekskluzivisht për Netflix, me përjashtim të angazhimit të tyre ekzistues për Disney për franshizën e Star Wars.

“E kemi pasur një bashkëpunim të bukur me HBO për më shumë se një dekadë dhe u jemi mirënjohës të gjithëve atje që gjithmonë na bëjnë të ndjehemi si në shtëpi,” thanë Benioff dhe Weiss në një deklaratë. “Netflixi ka ndërtuar diçka të mahnitshme dhe të paprecedentë, dhe jemi të nderuar që na kanë ftuar që t’u bashkohemi”.

Dyshja raportohet se i kanë filluar takimet për ta arritur një marrëveshje të përgjithshme pasi e përfunduan sezonin e tyre të fundit të GoT, i cili është kandiduar për 32 Primetime Emmy Awards.

Netflixi raportohet se e ka mundur Amazonin dhe Disneyin për ta arritur marrëveshjen me showrunnerët e GoT, të cilët do t’i bashkohen krijueses së Grey’s Anatomy, Shonda Rhimes, si dhe Ryan Murphy të American Horror Story në kanalin për streaming.

Përveç punës së tyre për Netflix, Benioff dhe Weiss do ta bëjnë produksionin e trilogjisë së filmave të rinj të Star Wars me mbështetje të Lucasfilm, i pari prej të cilëve do të shfaqet në kinema më 2022, një projekt për Kurt Cobain me Universal dhe një adaptim i rrëfimit për arratisjen nga burgu Dirty White Boys, për Fox/Disney. /KultPlus.com

Të ngjajshme