3 Shtator, 2019 - 11:50 pm
Në tetor na pret filmi “Joker”, tregimi për keqbërësin e famshëm nga Batmani, ndërkohë që për herë të parë do ta shikojmë historinë e origjinës së tij.
Filmi u prezantua për herë të parë të shtunën e kaluar në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Venecie dhe vlerësimet e para janë të shkëlqyera, ndërkohë që lëvdatat më të larta shkojnë për aktorin kryesor Joaquin Phoenix, i cili e luajti Jokerin. Pas premierës, publiku duartrokiti për tetë minuta.
Përveç vlerësimeve të shkëlqyera, në portalin Rotten Tomatoes filmi aktualisht e ka një approval rating prej 88% bazuar në 34 kritika dhe një vlerësim mesatar prej 9.05 nga 10, ku gjithashtu lavdërohet performanca e Phoenix.
Kritikët shpejt vërejtën se regjisori Todd Phillips e ka bazuar filmin në stilin e filmave të Martin Scorsese, “Taxi Driver” dhe “The King of Comedy”, ndërsa Mark Hughes i Forbes e krahason Jokerin e Phoenixit me atë të Heath Ledger nga “The Dark Knight”. Të shumtë janë ata që theksojnë se shikuesit do të befasohen nga interpretimi i ri i Jokerit.
Në fillim ishte e qartë se Joker do të ishte një film i pavarur pa mundësinë e vazhdimit, por regjisori ndryshoi mendje dhe tha se ai ishte i interesuar për mundësinë e vazhdimit. Vazhdimi do të varet nga suksesi i përgjithshëm i filmit dhe vullneti i Phoenixit për projektin e ri. Fundjava premierë e tetorit pritet që filmit t’ia sjellë midis 70 dhe 95 milionë dollarë brenda vendit (SHBA dhe Kanada).
Warner Bros. me këtë film ka nisur një epokë të re, pra me Jokerin e ka filluar serinë e filmave të DC Black e cila që do të merret vetëm me negativët dhe do ta ketë një ton të errët dhe serioz. DC Black nuk do të jetë e lidhur me asnjë film tjetër të DCEU të cilët tashmë janë publikuar dhe janë planifikuar. /KultPlus.com