13 Dhjetor, 2018 - 12:56 pm
Gili Hoxhaj
Populli i lashtë i Gadishullit Ballkanik, ilirët përkundër që përbëjnë një pjesë të rëndësishme të historisë e arkeologjisë, nuk kanë pasur një trajtim të njëjtë edhe në kinematografi. Këtë zbrazëti tenton ta plotësojë së shpejti projekti filmik i titulluar “Illyricvm” ku producente kryesore e filmit është Ankica Tilic, një emër i njohur i kinematografisë evropiane, ndërsa skenari dhe regjia janë nga Simon Bogojevic Narath.
Projekti “Illyricvm” shënon bashkëpunimin produksioneve mes Kroacisë, Sllovenisë, Italisë dhe Kosovës. Buka Production nga Kosova është përzgjedhur që të jetë pjesë e këtij bashkëpunimi me producentë të vendeve të tjera, ndërsa filmi është subvencionuar si kooproduksion minor nga Qendra Kinematografike e Kosovës.
Puna rreth konceptit të filmit ka filluar që gjashtë vite, ndërsa vitin tjetër do të fillojë realizimi i tij, duke përfshirë në kastën e aktorëve edhe aktorë nga Kosova, audicioni i të cilëve është zhvilluar këto ditë në Prishtinë. Xhirimet e tij do të fillojnë në fillim të korrikut ndërsa janë planifikuar që të zgjasin rreth një muaj. Pamjet do të xhirohen në Kroaci dhe Itali.
Ngjarja shtrihet në një periudhë shumë të lashtë, në vitin 37 Para Krishtit. Filmi tenton të ketë sa më shumë përmbajtje historike dhe flet për jetën në territoret e atëhershme, andaj për këtë, regjisori dhe skenaristi Simon Bogojevic Narath tha për KultPlus se për ta krijuar skenarin e filmit kanë bashkëpunuar me mjaft shumë njerëz që i përkasin edhe fushës së arkeologjisë, fushës së linguistikës dhe etnografisë.
“Filmi do të ketë sa më shumë përmbajtje historike, duke e përfshirë gjuhën, kostumografinë, skenografinë. Bashkëpunimi ynë me njerëz të fushave të ndryshme tenton ta sjellë një imazh të ilirëve që nuk është parë më parë në kinematografi”, tregoi regjisori Bogojevic Narath.
Mesazhet thotë se janë shumë aktuale pasi që ai si skenarist ka përballur marrëdhëniet mes njerëzve dhe urrejtjen mes etnive të ndryshme, ndërsa thotë se sado që ngjarjet e rrethanat historike ndryshojnë, marrëdhëniet mes njerëzve vazhdojnë në mënyrë të ngjashme, duke e sjell pak a shumë edhe sot një frymë të ngjashme.
“Për mua është shumë interesante a përballë individin me kolektiven, çfarë na bën neve pjesë të kolektivitetit dhe çfarë është individualja për ne. Kjo marrëdhënie ka qenë shumë e ashpër atëherë por e ngjashme është edhe sot. Pra filmi ka tendencë që përmbajtjet historike duke u lidhur me ngjarje aktuale”, tregoi tutje skenaristi dhe regjisori Bogojevic Narath.
Producenti kosovar Fatmir Spahiu tregoi se ftesën për këtë projekt e ka marrë nga producentja e njohur evropiane Ankica Tilic që vjen nga produksioni Kinorama. Spahiu në një intervistë për KultPlus tregoi që për shumë arsye nuk ka hezituar t’i bashkohet këtij projekti, menjëherë pas leximit të skenarit dhe idesë. Ai theksoi se janë dy argumente që e kanë bindur që t’i bashkohet këtij projekti.
“Kjo ka ndodhur për shumë arsye. E para, sepse filmi flet për një periudhë antike, të patrajtuar deri më tash. Ilirët nuk i kemi të përmendur në kinematografinë botërore dhe nuk i kemi pothuajse asnjëherë të trajtuar si bosht kryesor në film, kjo e ka pasur rëndësinë e veçantë për mua. E dyta, si shqiptarë, e konsiderojmë veten dhe është shkencëtarisht e vërtetuar se gjuha jonë dhe ne si komb jemi pasardhës të ilirëve të lashtë”, tregoi Spahiu.
Produksionet të cilat janë të përfshirë në këtë projekt filmik janë Kinorama nga Kroacia, Forum Ljubljana nga Sllovenia, La Sarraz nga Italia dhe Buka Productions nga Kosova. Projekti është planifikuar të prezantohet për publikun në fund të vitit tjetër. / KultPlus.com