15 Maj, 2024 - 8:31 pm
Sot kujtohet në ditën e lindjes aktori Shpëtim Shëmili, “Artist i Merituar”.
Ai lindi në Tiranë më 15 maj 1941 nga një familje intelektuale elbasanase. Pasi përfundoi shkollën Pedagogjike “Luigj Gurakuqi” në Elbasan, fillimisht u emërua mësues në qytetin e Cërrikut, e më vonë në fshatin Shtërmen.
Por Shpëtimi ishte një talent i lindur për aktor. Në vitin 1960 fitoi një konkurs dhe menjëherë u pranua në Institutin e Lartë të Arteve në degën e “Dramaturgjisë”. Studimet i përfundoi me rezultate shumë të mira.
Katër vjet më vonë, në vitin 1964 ai emërohet aktor në teatrin “Skampa”. Në këtë institucion punoi deri në vitin 1994, kohë kur u nda nga jeta. Vitet e fundit të jetës ai ishte edhe titullar i këtij institucioni.
Gjatë karrierës 30-vjeçare ai gdhendi në skenë e film nivelin më të lartë artistik e interpretativ. Shëmili ka fiksuar në arkivën e artit shqiptar figura të shquara të dramaturgjisë kombëtare e botërore.
Në teatër ai realizoi mbi 40 role të zhanret e dramës dhe komedisë si Vagabondin tek “Njeriu që pa vdekjen”, Selimin tek “Familja e Peshkatarit”, Don Ëngjëllin tek “Shembja e Idhujve”, Gjyshin tek Ëngjëjt e Skëterrës”, Haraç Hildens tek “Nepërka” etj.
Në kinematografi ai luajti 12 role, mes të cilave më të famshme e të njohura për publikun shqiptar janë ai i Robert Çamçakëzit te “Horizonte të Hapura”, i sinjor Valetës te “Gjeneral Gramafoni”, i merceologut Sami tek “Ëndërr për një karrige”, i oficerit gjerman te “Këshilltarët”, i arkeologut te “Dëshmorët e Monumenteve”, i Vurkos te “Pas vdekjes”, etj.
Ai ka shkruar dramat “Fundi i një intrige”, “Zemër e shqetësuar”, “Telashet e një ndeshjeje”, komedinë me tre akte “Ah kjo traktoristja” etj. Veç këtyre ai shkroi komedi muzikore, gazmore, pjesë për fëmijë për teatrin e kukullave.
Shpëtim Shëmili shpalosi një kulturë të përkryer skenike, letrare dhe artistike. Ai zotëronte tri gjuhë të huaja: italishten, frëngjishten dhe rusishten.
Me rolet dhe talentin e tij Shpëtim Shëmili krijoi karaktere dhe formoi individualitetin që e bënë atë aq të dashur në rrafshin kombëtar.
Personalitete nga vendi dhe bota kanë vlerësuar artin e tij. Viktor Eftimiu e cilësoi atë si “aktor të një spektri të gjerë që mund të matet me aktorë të mëdhenj përtej kufijve shqiptarë”.
U nda nga jeta para kohe nga një goditje cerebrale në vitin 1994, në moshën 53-vjeçare. Ishte pikërisht mosha kur Shpëtim Shmili mund t’i kishte dhënë akoma më shumë skenës dhe artit shqiptar.
Shpëtim Shmili ka pasur një jetë të gjatë artistike e mbushur me çmime, urdhra, medalje të ndryshme. Në vitin 1982, pas 17 vjet pune në skenën e teatrit “Skampa”, nderohet me medaljen “Naim Frashëri”. Ndërsa në vitin 1990 merr urdhrin “Naim Frashëri”, si dhe me disa çmime në aktivitetet e konkurrimit kombëtar të teatrove. Është nderuar edhe me medaljen e 45 vjetorit të Çlirimit dhe në vitin 1992 me titullin “Artist i Merituar”, me motivacionin “Për krijimin me nivel të lartë artistik të roleve e figurave në teatër e kinematografi”. Në 14 shtator 1999, në përkujtim të 5-vjetorit të vdekjes së tij, Këshilli Bashkiak i Bashkisë së Qytetit Elbasan i dha titullin “Qytetar Nderi i Elbasanit”./atsh/ KultPlus.com