11 Tetor, 2022 - 9:00 pm
Paslufta e Kosovës erdhi përmes filmit “Kukumi”, me një tematikë të veçantë e rrëqethëse.
“Kukumi”, film me regji të Isa Qosjës, është ai i cili bëri bujë të madhe si në vend ashtu edhe nëpër festivalet që është dhënë.
Filmi 107 minutësh, që u dha premierë në vitin 2005, sjellë në rolin kryesor aktorin e njohur kosovar Luan Jaha.
Kësisoj KultPlus, po e rikthen në vëmendjen e audiencës shqipfolëse edhe njëherë rolin e Luan Jahës, një rol që rrallë kush mund ta realizoj. Ndërkaq, kujtojmë se sot ai feston 55 vjetorin e lindjes.
“Kukum ma pat lan emnin gjyshja. Thojnë që kur kom le’ pata kajt tri jav’. M’kishin pas qkri plum e mo s’kisha pas kajt”, nis rrëfimi i njërit nga të sëmurit psikik që menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë lirohen nga ai spital.
Kukumi, Mara e Hasani, të pavetëdijshëm për atë se çfarë duhet të bëjnë pastaj ata nisën në rrugët e Kosovës së pasluftës dhe shkojnë në fshatin e vëllait të Hasanit…
Një rol sa i vështirë për tu parë edhe më i vështirë për tu interpretuar ishte ai i Kukumit. Luan Jaha, një ndër aktorët më të mirë të skenës kosovare, e solli këtë rrëfim mrekullueshëm përmes trupit të tij, fytyrës, flokëve, duarve e mbi të gjitha përmes fyellit të tij që nuk e largonte asnjëherë nga vetja.
“Kukumi”, ishte laureat i shumë çmimeve nëpër festivalet botërore ndërsa ishte prodhim i KosovaFilm-it.
Përveç Luan Jahës në “Kukumi”, luajnë edhe aktorët si: Anisa Ismaili, Donat Qosja, Yllka Gashi, Xhevded Doda…/ KultPlus.com