23 Maj, 2020 - 10:00 am
Pandemia e koronavirusit ka shkaktuar ndaljen e tërësishme të filmave dhe tani ka shtyrë ata edhe në vonesa, gjë kjo që po ndikon së fundi edhe në ndërrimin e aktorëve.
Një vështirësi të tillë e ka përjetuar trilogjia e filmave “Mission Impossible”, në krye me aktorin e njohur Tom Cruise. Studioja filmike që qëndron prapa projektit kishte planifikuar realizimin e “Mission Impossible 7” dhe atij “8”, por situata është vështirësuar kur aktori Nicolas Hoult vendosi që të tërhiqej nga roli i kundërshtarit të Cruises në këta filma.
Revista amerikane “Variety” ka raportuar se Hoult, i cili ishte zgjedhur për të luajtur kundërshtarin e agjentit Ethan Hunt, është detyruar të largohet nga filmi aksion, për shkak të angazhimeve në filmin “The Great”, shkruan KOHA. Regjisori Christopher McQuarrie ka njoftuar se Hoult do të zëvendësohet me Esai Moralesin, i cili njihet më së miri për rolin e Deathstroke në filmin “Titans”.
Xhirimet e “Mission Impossible 7” u ndalën në muajin mars, kur edhe filloi përhapja e koronavirusit në botë. Ishte parashikuar që filmi të jepej premierë më 23 korrik të vitit 2021, por afati është shtyrë për 19 nëntor të vitit të ardhshëm. E pjesa e tetë e filmit do të fillojë të xhirohet më 2 nëntor të vitit 2022. McQuarrie, i cili e realizoi skenarin e pjesës së filmit “Ghost Protocol” dhe ishte regjisor i pjesëve tjera “Rouge Nation” e “Fallout”, ka treguar për vendimin që misioni i ardhshëm i Cruises të ndahej në dy pjesë.
“Kur po realizonim pjesën ‘Fallout’, i thashë Tomit: ‘Dua që këtë film ta bëj si udhëtim emocional për Ethan Huntin’. Donim që filmin ta ndiente krejt ekipi”, kishte thënë McQuarrie. Në intervistën për të promovuar filmin “Fallout”, McQuarrie kishte pranuar se së bashku me aktorin Cruise po mendonin për pjesën e shtatë të filmit.
“Sapo u publikua filmi, Tomi erdhi dhe më tregoi se çfarë donte të bënte më tutje. Në fakt, premierën në Paris e shikuam së bashku dhe u mahnitëm me kritikat. Tomi u kthye kah unë dhe më tha: ‘Mund ta bëjmë një edhe më të mirë’”, kishte thënë regjisori për gazetën britanike “The Sun”.