9 Qershor, 2020 - 1:00 pm
Mund të kalojë kohë e gjatë deri kur të na vijë rasti t’i përcjellim premierat filmike të shoqëruara me qilim të kuq në Hollywood.
Parakalimi i yjeve mbi qilim të kuq, që janë jetësore për premiera e filmave dhe ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve, lulëzojnë me grumbullimin e aktorëve glamurozë, fustanet elegante dhe britmat e fansave të shumtë. Por derisa Hollywoodi vazhdon të përballet me pandeminë e koronavirusit, premiera të mëdha në një të ardhshme të afërt do të duken shumë ndryshe.
Turmat e fotografëve, yjet e listës A, publicistët dhe adhuruesit që luten për autografe dhe “selfie” me idhujt e tyre janë elemente kyç në funksionimin normal të makinerisë së hollywoodit. Por ajo që i bën këto ngjarje të shoqëruara me qilim të kuq, aq të lakmuara për t’i ndjekur, është pikërisht ajo që i bën edhe shumë vështirë të menaxhohen në këtë periudhë të distancimit social, transmeton Koha.
Testi më i madh do të bëhet në muajin korrik kur të lansohen filmat e mëdhenj të hollywoodit, “Tenet” me regjisor Christopher Nolanin dhe “Mulan” nga studioja filmike “Walt Disney”. Këto janë dy projektet e para me buxhet të lartë, të cilat parashihen të lansohen nëpër kinema, prej mbylljes së tyre anembanë botës për shkak të pandemisë së koronavirusit. Shumica e filmave të mëdhenj tashmë i kanë shtyrë datat e lansimit për vitet 2021 dhe 2022.
Kompania e cila merret me organizimin e ngjarjeve në Los Angeles, “15|40 Productions”, që është përgjegjëse për organizimin e më shumë se 200 premierave hollywoodiane po konsultohet me disa studio filmike rreth planeve për zbatimin e rregullave të distancimit social.
“Jemi detyruar t’i rishpikim organizimet e ngjarjeve të shoqëruara me qilim të kuq, duke provuar t’i bëjmë funksionale pas karantinës, si dhe po mundohemi t’i mbajmë njerëzit sa me larg njëri-tjetrit”, ka thënë Craig Waldman, kryetar i kompanisë “15|40 Productions”.
Ekipi i kameramanëve dhe fotografëve të cilët zakonisht qëndrojnë në rendin e parë, tani do të ndahen nga barrierat, si dhe gazetarët do të qëndrojnë në distancë rreth 2 metrash larg aktorëve. Të famshmit do të kenë mundësi të komunikojnë me fansat përmes një ekrani gjigant të vendosur mbi qilim të kuq.
“Elementi i interaktivitetit të drejtpërdrejtë me fansat do të mund të ndodhë vetëm në të ardhëm, kur të gjendet një vaksinë për këtë sëmundje,” ka përfunduar tutje Waldman.
Pra, si përfundim, premierat pritet të shoqërohen me një numër të reduktuar të mediave dhe shumë maskave mbrojtëse.
Por, brenga më e madhe vazhdon të jetë dilema nëse aktorët e listës A do të jenë të pranishëm mbi qilim të kuq.
Ndërkohë publicistët janë treguar kreativë përmes premierave virtuale dhe intervistave, të cilët aktorët i kanë realizuar përmes aplikacioneve “Zoom” dhe “Skype”, nga shtëpitë e tyre. Por asgjë nuk krahasohet me entuziazmin dhe emocionet që i sjell qilimi i kuq. / KultPlus.com