30 Maj, 2018 - 5:47 pm
Kushtrim Koliqi nga organizata “Integra”, që organizon festivalin “Mirëdita, Dobardan”, ka thënë se ngjarjet kulturore tregojnë më së miri realitetin në raportin Kosovë – Serbi.
Ai ka thënë se ndalimi i artistëve kosovarë nga forcat policore në kufirin me Serbinë, ka treguar sërish që dialogu mes dy shteteve po del të jetë i kotë.
“Është hera e parë që na keqtrajtojnë në kufi. Ka pasur protesta, reagime, ndërprerje, por kurrë s’kemi pas maltretime në kufi. Policët thanë se urdhrin e kanë nga Beogradi. Më është dukur si në luftë. I kontrolluan të gjitha valixhet. Fatkeqësisht disa punime u ndaluan sepse shkruante UÇK apo kishte shqiponjë e diçka të tillë. Zgjati dy orë. Ishte i tensionuar. Ishte një betejë e vogël. Gjithçka që ndodhi ishte absurde. Por ky është realiteti. Realiteti kuptohet vetëm në këso evente dhe organizime të tilla”, ka thënë ai për “Express Intervistën” në KTV.
Eliza Hoxha rrëfen në hollësi për trajtimin nga kufitarët serbë
Koliqi ka njoftuar se artistët shqiptarë tashmë janë akomoduar dhe po presin hapjen e festivalit, që do të bëhet sonte.
Ai ka thënë se nuk kanë pritur një ndalesë të tillë nga autoritetet serbe. “Nuk e di ku po jetojmë, nëse i pengon veç një mesazh që jepet nga një fotografi artistike. Kjo nuk guxon as me ndodhë. Nuk munden ata me na tregu çfarë prodhime artistike do të prezantojmë. Po flasim për prezantim artistik. Kemi pas indikacione se do të ketë reagime, edhe nga deputetët radikalë që kanë kërcënuar se do t’i bllokojnë ngjarjet tona, por kam menduar se ka qenë show i zakonshëm”, ka deklaruar ai.
Sa i përket dialogut mes dy shteteve, Koliqi ka thënë se ngjarja e sotme duhet të jetë brengosëse për të gjithë, sidomos sponsorizuesit e këtij dialogu.
“Klasa politike në Kosovë kanë reaguar dhe mirë kanë bërë. Por ky është mesazh i qartë për të gjithë sponsorizuesit e dialogut se të gjitha letrat që i kanë nënshkruar dhe ‘arritjet e mëdha’ një festival i tillë, që përmban mesazhe të forta politike, i hedh poshtë të gjitha këto. Kjo është shumë brengosëse. Duhet të ishte shumë brengosëse për sponsorizuesit e dialogut. Për mua është brengosëse se po flasim për shumë kohë dialog, investime politike e financiare dhe me ndodhë prapë një gjë e tillë, është shumë brengosëse”, ka thënë Koliqi.