4 Shtator, 2020 - 10:26 pm
Faruk Begolli, ikona e kinematografisë shqiptare dhe jo vetëm, njihet për rolet e tij të shumta që lanë gjurmë të mëdha në botën e filmit shqiptar e jugoslla, shkruan KultPlus.
‘Dashuria e bjeshkëve të nemuna’ është filmi në të cilin trajtohet fati i trishtë i dy gjeneratave, që bie mbi protagonistët si pasojë e një mendësie të prapambetur patriarkate.
Ky film ka lënë pas vetes shumë thënie që akoma vazhdojnë e kometohen, thënie këto që tregojnë shumë për traditën e mendësinë shqiptare.
‘S’është ky shall i modës, por i nevojës.. është qefin, pëlhurë me të cilën mbështjellet i vdekuri. E kur vdekjen e ke rreth kokës, ndryshe sjellesh, ndryshe mendon‘, është ndër fjalitë e famshme të thëna nga Mala, rolin e të cilit e luan Faruk Begolli.
Mala një fatkeq në dashuri që e shpie edhe deri te kryerja e një akti kriminal, ikën për në Amerikë për të kthyer pas një kohë shumë të gjatë, tashmë edhe si prind i një vajze të rritur. Uka i cili është edhe i biri i Malës, fillon e takohet me vajzën e këtij të fundit pa qenë në dijeni se po takohet me motrën e tij nga babai dhe kur kjo kuptohet, bëhet shumë vonë pasiqë Uka vdes në mënyrë tragjike.
Filmi i cili është realizuar nën regjinë e Ekrem Kryeziut, vazhdon të mbetet nga filmat më të preferuar e më të njohur të Faruk Begollit. Pasiqë në film gërshetohen e trajtohen shumë probleme sociale si e mira përballë të keqes, dashuria përball fatit tragjik, falja e gjaqeve në Kosovë etj.
Në film luajnë aktorët Donat Qosja, Diellza Kolgeci, Adhurim Demi etj.