Lady Gaga së shpejti do të rikthehet si aktore

6 Nëntor, 2019 - 11:00 am

Pas suksesit të madh në filmin “A Star Is Born”, fituesja e çmimit Oscar, Lady Gaga po përgatitet për filmin e ri për vrasjen e Maurizio Gucci, nipit të themeluesit të shtëpisë së modës luksoze italiane Gucci.

Ridley Scott, i njohur për realizimet e tij si “Gladiator” dhe “The Martian”, do ta bëjë regjinë dhe produksionin e filmit, në të cilin Gaga e luan Patrizia Reggianin, ish-gruan e Maurizios. Ajo në vitin 1998 u dënua për organizimin e vrasjes së bashkëshortit të saj, i cili ishte trashëgimtar i perandorisë Gucci. Kujtojmë, në vitin 1995 Maurizio u qëllua nga një vrasës me pagesë.

Reggiani i kishte dy vajza me nipin e Gucci, ndërsa Maurizio thuhet se e braktisi bashkëshorten e tij për shkak të një femre më të re. Sipas raportit të “Times”, Reggiani u bë e njohur për mediat italiane si “Vejusha e zezë”, shkruan Koha. Ajo ishte në burg për 18 vjet para se të lirohej në vitin 2016 për shkak të sjelljes së mirë.

Sipas Variety, skenari për filmin do të shkruhet nga Roberto Beninggni dhe do të bazohet në librin e Sarah Gay Forden “Shtëpia e Gucci: Një histori sensacionale e vrasjes, çmendurisë, glamurit dhe lakmisë” (The House of Gucci: A Sensational Story of Murder, Madness, Glamour, and Greed).

Ky do të jetë një kthesë e re filmike për këngëtaren Gaga. Ndërkohë, derisa po përgatitet për rolin e ri, Gaga është e zënë me lansimin e koleksionit të saj të grimit dhe performancat në Las Vegas. /KultPlus.com

Të ngjajshme