Lamtumira artistike e Marianne Faithfull

1 Shkurt, 2025 - 11:32 am

Marianne Faithfull
(29.12.1946 – 30.01.2025)

Dje ka vdekur Marianne Faithfull, artiste, këngëtare dhe aktore e njohur. Nëna e saj ishte një vjeneze me prejardhje aristokrate kurse babai anglez, agjent i shërbimit sekret MI6. Jeta e saj karakterizohej me turbulenca maksimale.

Gjatë karrierës së saj krijoi 21 albume dhe 26 role filmike. Konsiderohet muzë e Rolling Stones – inspiruese për “Wild Horses”, “You Can’t Always Get What You Want”, “Sympathy for the Devil”, si dhe bashkëkrijuese e “Sister Morphine”.

Partneritetet e saj kreative ndër vite janë ndërtuar me Mick Jagger (edhe jetësore), Keith Richards, David Bowie, Roger Waters, Nick Cave, Lou Reed, Brian Eno, Metallica, PJ Harvey, Beck, Damon Albarn, Jarvis Cocker.

Po ashtu ka luajtur edhe krah Alain Delon (“The Girl on a Motorcycle”) dhe Anthony Hopkins (“Hamleti”), nën drejtimin e Jean-Luc Godard, Gus Van Sant, Sofia Coppola.

Lindur për të jetuar

Lindur për të jetuar dhe lindur për të vdekur
A s’janë e njëjta gjë?
Gjithmonë dikujt ia thyejmë zemrën
Veçanërisht tonën
Jeta vazhdon lumturueshëm
Si zakonisht, asgjë s’është ashtu siç duket
Por, ëndërr e kam të vdes me vdekje të mirë

Këtë ua uroj të gjithëve, krejt që i njoh e i dua
Poshtë e lartë
Kemi lindur për të vdekur, s’është faji i askujt
Kemi lindur për të dashur, jemi një

Rri larg meje, mërzi
Urrej t’i humbas miqtë e vjetër
Mërzinë e kam hasëm, por dashuria më ndihmon t’ia dal
Lindur për të jetuar dhe vdekur
Përjetësisht në dashuri me ty
Mos më bëj të qaj, dije çfarë duhet të bëj
Të lutem për vdekje të mirë, një për mua, një për ty

Përkthyer nga Artan Muhaxhiri/ KultPlus.com

Të ngjajshme