15 Shkurt, 2021 - 1:27 pm
Janë publikuar pamjet e para të filmit të shumëpritur nga publiku, “Justice League: The Snyder Cut”.
Ky projekt është ideja fillestare e regjisorit Zack Snyder, i cili e kishte realizuar edhe filmin “Justice League” të vitit 2017, para se të hiqte dorë gjatë montazhit të tij si pasojë e vdekjes së të bijës.
Pasi adhuruesit e filmit, kasta e aktorëve dhe pjesëtarët tjerë të ekipit realizues kishin kërkuar të lansohej version origjinal i regjisorit Snyder, studioja filmike “Warner Bros” e kishte konfirmuar lajmin se “Justice League: Snyder Cut” tashmë është në realizim e sipër, dhe pritet të lansohet së shpejti.
Në trilerin e ri vërehen disa personazhe të reja si: DeSaad, Granny Goodness dhe Joker, i portretizuar nga Jared Leto. Ndërsa rolet e tyre në këtë projekt i përsërisin yjet, Ben Affleck i cili vjen si Batmani, Jason Momoa që e portretizon superheroin Aquaman, Gal Gadot si Wonder Woman dhe Henry Cavill i cili vjen në rolin e Supermanit.
Filmi i bazuar në librat komik “DC Comics” dhe i cili vjen i mbushur me skena aksion, “Justice League: The Snyder Cut”, do të fillojë së shfaquri në platformën digjitale HBO Max, më 18 mars të vitit 2021.
Pas raportimeve se ky projekt do të shndërrohej në një mini-serial katër pjesësh, regjisori Zack Snyder në fillim të vitit e konfirmoi lajmin se në fakt do të jetë një film katër-orësh. / KultPlus.com