16 Shtator, 2019 - 1:20 pm
Nga Maja Bogojević – Camera Lucida
Shpia e Agës, filmi debutant i gjatë i regjisores Lendita Zeqiraj (e njohur për filmat e saj të shkurtë shumë të suksesshëm, Gardhi, Ballkoni), është një dramë prekëse, empatike dhe e sofistikuar për të kaluarën e trazuar të luftës së Kosovës dhetensionet e vazhdueshme etnike në Ballkan, i cili në qendër ka një grup të grave të ndryshme të cilat jetojnë në një fshat malor të largët dhe të izoluar. I shkruar mjeshtërisht, kamera përcjell disa orë në jetët e pesë grave të gjeneratave të ndryshme – Emira, Lumja, Gjyla, Kumrija dhe Zdenka (luajtur në mënyrë të shkëlqyer nga Rozafa Çelaj, Adraian Matoshi, Melihate Qena, Shengyl, Ismaili dhe Rebeka Qena, respektivisht) të cilat jetojnë së bashku në “Shpia e Agës” (duke u strehuar nga diçka?, mund të pyes shikuesi), të cilat flasin rreth jetës së tyre të përditshme, kujtojnë dashuriçkat e tyre të kaluara, aventurat seksuale (ndonjëherë duke përdorur edhe gjuhë qëllimisht vulgare), qeshin me njëra tjetrën, qortojnë njëra tjetrën, qërojnë speca, përgatisin ushqim, lyejnë thonjët, përleshen mes vete, pijnë cigare dhe këndojnë.
Më e reja prej tyre, Emira (Juliette Binoche premtuese kosovare) pi marihuanë, të cilën ia jep Aga, një djalë nëntë vjeçar, i luajtur në mënyrë shumë prekëse nga i talentuari Arti Lokaj, i vetmi karakter mashkull, përveç Cera’s së vrazhdë (i luajtur shkëlqyeshëm nga Basri Lushtaku), në këtë portretizim autentik të jetës së grave në margjina. Mes sekuencave të shumta hipnotizuese, një në veçanti del në pah: kur Emira dhe Lumja, pas fjalitjes, pajtohen dhe kanë një bisedë shumë personale, teksa e ndajnë një cigare mes vete, ulur në një gur shpelle jashtë shtëpisë, me shpinën e kthyer nga kamera, e cila filmon peisazhin e ashpër dhe të gjerë malor para tyre, duke ftuar shikuesin të fokusohet në narrativin verbal të momenteve kyçe të tregimeve të tyre, dhe të shijoj në të njëjtën kohë peisazhin e kadruar.
Është ky film Chantal Akerman-esk, me regji të autores shumë të talentuar Lendita Zeqiraj, të cilin rajoni i ish-Jugosllavisë e ka pritur për një kohë të gjatë. I filmuar me bukuri, duke iu falënderuar fotografisë mjeshtëtore nga Sofian El Fani, me dominim të kuadrave të afërt, i cili pasqyron jo vetëm empatinë e autores me të gjithë karakteret e saj, por edhe inkurajon shikuesin që të hyj në mendjet e grave dhe të simpatizohet me ato, edhe kur ‘jo shumë’ ndodh, posaqërisht në disa prej skenave më të paharrueshme të një prej filmave më mbresëlënës të kimenasë bashkëkohore Ballkanike. Këto kuadra skajshmërisht të afërt të bëjnë të ndihesh shumë afër, si me grupin e grave, ashtu edhe me djalin, por në të njëjtën kohë edhe vijëzojnë edhe ekzistencën e tre nën-filmave brenda një filmi: ‘Filmi’ i parë është për një djalë, ‘filmi’ i dytë është për tregimet individuale të grave të ndryshme dhe ‘filmi’ i tretë është për kuadrat e afërt, qe e afron shikuesin sa më afër këtyre grave para se të mësojnë tregimet e tyre të dhimbshme dhe trishtuese në fund.
Tensioni i akumuluar mes grave në njërën anë, dhe mes djalit dhe nënës së tij në anën tjetër, gradualisht kulmon drejt fundit, përkundër këngës dhe vallëzimit të përbashkët të grave, dhe kulminon kur e vërteta për jetën e tyre tregohet përmes një interviste për media perëndimore. Fundi prekës dhe i zymtë i kësaj drame të grave të pas-luftës balancohet dhe zbutet përmes skenave të mbrehta të përshkuara me humor inteligjent dhe sarkazëm, duke kaluar gati në parodi të fuqishme të abuzimit të audiencës nga mediat kryesore, korrupsioni i regjimeve politike rajonale, rishfaqja e fjalimeve urrejtëse në mes të tensioneve etnike në rajonin e ish-Jugosllavisë, të vëna kundrejt realiteteve të zymta dhe të pavlerë, me pak shpresë për ato në margjinat e shoqërisë.
Prof. Dr. Maja Bogojević, është teoriciente dhe kritike e filmit, dekan i Fakultetit të arteve vizuale të Univerzitetit Mediteran dhe themeluese e revistës së pare të filmit në Mal të zi -Camera Lucida. Antare active e kritikës ndërkombëtare – FIPRESCI dhe FEDEORA./KultPlus.com