Luan Jaha: “Kukumi” është dashuria ime e parë

31 Dhjetor, 2017 - 11:00 pm

I njohur e i dashur jo vetëm për publikun por edhe për kolegët e tij, aktori kosovar Luan Jaha vjen në intervistën e Viti të Ri për KultPlus, në një dimension më ndryshe. Ai rrëfen fillimin e karrierës së tij që nga shfaqja e parë “Profesor jam talent se jo mahi” e deri te shfaqja e fundit e inskenuar në Teatrin Kombëtar të Kosovës “I ligu për mend” poashtu në këtë rrafsh Luan Jaha na sjellë kujtimet e filmit të parë “Rruga pa kthim” e deri tek filmi i fundit që u xhirua në vitin 2017-të “A month”. Aktori kosovar i cili që nga vitin 1992 është me publikun shqipfolës, përmes kësaj interviste tregon edhe për punën e tij si profesor në Fakultetin e Arteve dhe flet për brezat e rinj. Luan Jaha flet edhe për filmat e njohur për publikun ku ishte pjesë e tyre dhe për kinematografinë shqiptare, krejt në fund, ai ka edhe një urim për vitin që po vjen.

Sarandë Selimi

KultPlus: Prej vitit 1992 jeni në skenë dhe nuk është periudhë e paktë. Nëse flasim vetëm për shfaqjet, mund të numëroni se në sa shfaqje keni luajtur?
Luan Jaha:
Po, prej vitit 92 deri 99 kam luajtur në mëse 30 shfaqje. Edhe pse kohë të vështira për çdo gjë, në aspektin teatral, falë teatrit Dodona kemi pas realizime të mira dhe të shkëlqyeshme. Aty edhe fituam përvojë, u formuam si aktorë, jo vetëm unë por edhe shumë kolegë që sot janë emra të rëndësishëm të skenës flmike dhe teatrale në vend.

KultPlus: Cili është roli që të ka marrë më shumë me vete?
Luan Jaha:
Secili rol në kohën e vet ka qenë i lezetshëm, rol i mirë, i pranueshëm, role që më kane bërë të ndihem mirë por edhe shkëlqyeshëm edhe pse kur i shikoj sot, nga kjo perspektivë, shohë se ka pas mangësi, zbrastësirë, herë herë tepri. Asnjë rol nuk më ka marrë me vete, të gjithë janë në mua. Por, më vjen mirë që kam mësuar shumë edhe nga gabimet e mia.

KultPlus: E keni fjalën edhe për filmin në këtë rast?
Luan Jaha:
Po flas për vete në film dhe teatër. Loja në teatër është në dorë të aktorit, ndërsa në film jo. Në film t’i mund të bësh mrekulli dhe të mos i përdorë regjisori për njëmijë arsye ose e kundërta, mund të bësh marrëzira dhe mund ti përdorë për të mirë, sa që mrekullohesh edhe vet kur e sheh premierën. Filmi është art i fotografisë, montazhit, regjisë, por më së paku i aktorit. Për mua vlen thënia: beso në regjisorin, nëse jo, mos luaj.

KultPlus: Dhe ngjitja në dërrasat e Teatrit Kombëtar të Kosovës mund të vlerësohet edhe si një aprovim për një aktor profesionist, cila ishte shfaqja që të solli këtë emocion?
Luan Jaha:
E para ka qenë komedia “Profesor, jam talent se jo mahi” nga prof. Faruk Begolli. Rolin e pata realizuar në kuadër të provimit të vitit të dytë, karakteret. Luaja një plak, Kadri Abazin. Kjo ndoshta ka qenë përvoja ime më e bukur në teatër. Salla mbushej plot, biletat shiteshin e stërshiteshin një ditë para shfaqjes. Përveç organizimeve jashtë, në Dodonë luanim tre- katër herë në javë. Ka aktor që e kanë përfunduar karrierën e tij e nuk ka përjetuar atë ndjenjë.
I luajta dy role, dy ekstreme, njërin një grua Sofia dhe këtë tjetrin Kadri Abazin. Më erdhi mirë që rolet nuk kishin ngjashmëri me njëri tjetrin, suksesi u arrit edhe më shumë. Kemi pas realizuar rreth 400 repriza. Përveç se në krejt Kosovën, poashtu kemi qenë në Preshevë, Tetovë, Strugë, Ulqin, Tiranë…me këtë shfaqje kemi qenë edhe në Austri, Driton Sahitaj na pati organizuar katër shfaqje për publikun shqiptarë atje.
Falë kësaj shfaqjeje, mbeta në Kosovë. Ishte viti 93’, njerëzit kalonin nëpër kriza të thella, shumë shqiptarë ishin larguar nga puna, nuk merrnin rroga, shumica e kolegëve dolën në shtete të perëndimit. Ne na u mundësua të merreshim me shfaqje dhe fitonim para, kjo më ka bërë të ndjehem pak më mirë, të studioj me para të mija, me një fjalë ta kem lekun tim.

KultPlus:Po pagat, si ishin pagat në atë kohë?
Luan Jaha:
Ka qenë kohë e inflacionit dhe papunësisë, rroga maksimale ka qene diku rreth 25-35 DM (Deutsche Mark).Mirëpo, ne me këtë shfaqje, me qenë se shëtisnim, vizitonim qytete të ndryshme të vendit, fitonim diku rreth 20-25 DM, dhe nëse kemi qenë aktiv tërë muajin, na dilte një rrogë serioze.

KultPlus: Në vitin 2014-të në Teatrin Kombëtar të Kosovës erdhe përmes shfaqjes “Shooping and Fucking”, në vitin 2016-të pikërisht në skenën e këtij teatri erdhe me rol kryesor në shfaqjen “Tregtari i Venedikut” ndërsa në vitin 2017-të në TKK erdhe përmes shfaqjes “I ligu për mend”, duke sjellë një rol të mrekullueshëm. Në të tri këto shfaqje ke sjellë atmosferë të bukur në skenë, por duam ta dimë nga pikëpamja jote se cili ka qenë roli më i vështirë dhe si jeni ndjerë duke interpretuar këto role ku tekstet kanë përkuar mjaft shumë me një realitet të hidhur që po kalon populli shqiptar në përgjithësi?
Luan Jaha:
Më vjen mirë që shfaqjet ku marrë pjesë përkojnë me realitetin dhe mirëpriten nga shikuesit. Është meritë e regjisoreve që me idetë dhe konceptet e tyre ua ofrojnë publikut vepra të huaja sikur të ishin tonat.
Shfaqja “Shooping and fucking”, ka qenë një realizim i bukur, shfaqje shumë e mirë, e realizuar mirë, e punuar nga Fatos Berisha, me të cilin kam pas rastin të punoj edhe shumë herë tjera, dhe sa herë kam punuar me të kam realizuar role të mira. E konsideroj ndër regjisoret më të mirë. Më njeh shumë mirë, mi njeh mundësitë e mija, veset dhe virtytet. Gjithmonë vjen me koncepte të qarta, nuk e mundon aktorin.
Te “Tregtari i Venedikut” kam punuar me skocezin Matheë Lenton, një regjisor i shkëlqyer dhe asistenti i tij, aktori Peter Kelly, i cili me përvojën e tij më ka ndihmuar mjaft për jetësimin e Shillokut, i jam shumë mirënjohës. Ajo që më bëri përshtypje te Matheë ishte se qysh në provën e parë na tha: “Miq, unë kam ardhë ta punojë këtë shfaqje, por nuk kam ende koncept, nuk kam ide prandaj do të doja që këtë vepër t’a jetësojmë bashkë”. Ishte sinqeriteti i tij që më bëri të pajtohem me “konceptin” e shfaqjes, jam angazhuar me tërë qenien, jam përpjekur të jap maksimumin. E vlerësoj si shfaqje të bukur por edhe shkollë në vete punën me Matheë.
Pas kësaj vjen shfaqja “I ligu për mend” nga Gjergj Fishta, me regji të Altin Bashës. Këtë shfaqje e konsideroj si një ndër shfaqjet më të vështira në përvojën time prej aktori. Ndoshta për faktin se, fillimisht veprën e kisha të njohur që më parë, e nënvlerësoja si pjesë të lehtë të cilën pa ndonjë mund të madh do ta vejmë në skenë, mirëpo, qysh në leximin e parë me kolegë e kuptuam si diçka shumë të rrezikshme, të cilën nëse nuk e punojmë seriozisht do ta kemi vështirë për ta jetësuar. Tekst i vështirë i artikulueshëm, për shkak të gjuhës së vjetër gege, struktura e fjalive, shprehjet allaturka të cilat nuk mund t’i hasësh më as në Prizren e Vushtrri. Po e kujtoj rastin kur Altini na dëgjoi për herë të parë duke lexuar dhe na tha; “Hë djem, çfarë jeni duke bërë, po provoni të flisni frëngjisht?!”
Shfaqjen përveç në Prishtinë (tridhjetë herë), e kemi luajtur edhe në Tiranë dhe Korçë, të gjitha me salla të mbushura plot me shikues. Do të isha njeriu më i lumtur sikur ta luanim edhe në Shkodër. Është një ndër shfaqjet e rralla ku përveç publikut kënaqemi edhe ne. Po përfitoj nga rasti që përmes KultPlus, ta falënderoj publikisht Altinin për punën që ka bërë. Kam mësuar shumë nga ai dhe jam kënaqur në proces, punonim 12 orë në ditë, thjeshtë na u bë mënyrë e jetës.

KultPlus: Shfajqa “I ligu për mend” u dha në Shqipëri dy herë, pikërisht kur kemi parasysh dialektin gege që është arma e fortë e kësaj shfaqje, si e pritën atje?
Luan Jaha:
E bukura e kësaj shfaqje është se personazhet e flasin një gegërishte arkaike, me shprehje e fjali të cilat edhe ne kosovarët vështirë i kuptojmë. Në Korçë ishim pjesëmarrës në festivalin mbarëkombëtarë të komedisë “KOKOFEST” ku dhe mora çmimin “aktori më i mirë”. Poashtu edhe në Tiranë jam mrekulluar nga pritja që na është bërë, në sallë ishin kryesisht aktorë të cilët na përgëzuan për punën që kemi bërë. Ishte një përjetim i mrekullueshëm. Kishte edhe studentë nga Shkodra, morëm lëvdata edhe prej tyre dhe kjo me kënaqi dhe na inkurajojë që të gjejmë mundësinë ta dërgojmë shfaqjen atje.

KultPlus: Të shkojmë pak tek filmi, e përmendëm që keni shumë role edhe në film që nga viti 1992. Cili ishte filmi i parë që e nxorri Luan Jahën në sheshxhirim?
Luan Jaha:
Filmi i parë ka qenë te prof. Ekrem Kryeziu “Rruga pa kthim”. Aty luaj një fshatar, në një fshat shqiptarë, pas luftës së dytë botërore fillon reforma agrare, partizanet vijnë t’ia marrin pronën dhe t’ia konfiskojnë kalin, të cilin unë e kam mjet jetese dhe nuk e jap me asnjë çmim, ata me tërheqin zvarre por unë nuk dorëzohem deri sa…, është një skenë komike, e bukur, është pranuar mirë në atë kohë. Ai film ka qenë privat, në vitin 1992-1993.

KultPlus: Kurse filmi i fundit që keni marrë pjesë është filmi i metrazhit të shkurtër “A month” me regji të Zgjim Terziqit. Si ishte eksperienca në këtë film?
Luan Jaha:
Po, herë herë punoj edhe në film, e dua filmin. Kam pas fatin të punoj më shumë në filma të huaj se sa vendore. Përveç “Tri dritare dhe një varje” i cili ka qenë projekti i fundit filmik vendor, kam qenë pjesë e filmit “Burrnesha” që e kanë punuar italianët, me të cilin morëm pjesë në Berlinale. Aty luaj një rol goxha të rëndësishëm, i cili konsideroj që është realizuar mjaft mirë.
Sivjet mora pjesë te Zgjim Terziqi në filmin e shkurtër “Një muaj”. Filmi trajton një temë aktuale, mjaft të ndjeshme. Edhe pse në fillim kisha pak dyshim mos po na del patetik, Zgjimi e ka trajtuar në mënyrë bashkëkohore, të bukur dhe origjinale.

KultPlus: Filmat “Kukumi”, “Koha e Kometës” dhe “Tri dritare dhe një varje”, janë tre filma që keni luajtur dhe që të tre janë realizuar në periudhën e pasluftës, cfarë përvoje ishte përfshirja në këta tre filma?

Luan Jaha: “Kukumi” ka qenë një film i punuar katër vjet pas luftës. Ishim plot entuziazëm. E prekëm lirinë, nuk dinim si ta shprehnim. Ftesën e prof, Ise Qosja, për të qenë pjesë e filmit e pata përjetuar si kurorëzim të asaj lirie, si ngjarjen me emocionale në karrierë.
“Kukumi” është një film të cilin e kanë vlerësuar dhe çmuar shumë nëpër festivale të ndryshme, film i cili ka më shumë së 27 çmime ndërkombëtare të kategorive superiore, një film i bukur me plotë kuptimin e fjalës, i fuqishëm, i guximshëm, i hareshëm dhe i pikëllueshëm. Nuk kisha me fol për rolin, nuk ka pas kërkesa të mëdha, ka qenë një punë e lehtë, përveç angazhimit fizik. “Kukumi” është dashuria ime e parë.
Kurse te “Koha e kometës” (viti i mbrapshtë) sipas Ismail Kadare, me regji të Fatmir Kocit, me Blerim Destanin në rol kryesor, luaj Doskë Mokrarit, njërin nga pesë luftëtarët, të cilët nisen për luftë e luftën nuk e gjejnë kund. Është ndër filmat që i dua, e dua koloritin, figurat, peizazhin, dialogun gati absurd, atë komedi të nëmur, është film që e shikoj me kënaqësi.
E filmi “Tri dritare dhe një varje” ka qenë një projekt ndoshta më i vështiri, pasi që, nuk kanë pasur mjete të mjaftueshme të realizohej ky skenar. Mirëpo prof. Isë dhe producenti Shkumbin Istrefi ishin këmbëngulës që projekti të realizohej, përndryshe mjetet do të ktheheshin në QKK. Megjithatë filmi u realizua, e pati një jetë të mirë, fitoi disa çmime. Dhe mendoj që si film e ka arrit qëllimin e vet, qoftë vendorë qoftë ndërkombëtarë.

KultPlus: “Familja moderne” dhe “Kombinati”, ju sollën në dy role krejtësisht të ndryshme njëri me tjetrin. Daja Skender dhe Fahria. Si jeni ndjerë asokohe kur ishit pjesë e serialeve?
Luan Jaha:
Në serial njeri hyn për tri arsye, 1) Për lek, 2) Për famë dhe 3) Për të I-në ose për të ll-në.
Më vjen mirë që “Familja moderne” ka jetuar aq gjatë sa që kur vinin njerëzit me shitë nëpër banesa tona private, mendonin që vërtetë këtu jetojnë: Dini, Drita, Gjyshja… Suksesi i familjes vjen jo nga një njeri por nga një dyzinë që kanë qenë të angazhuar, që episodit të mos i mungoj as edhe një “lugë”. Ka pas tema atraktive, aktuale, ambient të përshtatshëm, komoditet, trupë të mirë të aktorëve, regjisorë, skenografë, kameraman, ndriçues, tonist e një ekip njerëzish të profileve të ndryshme. Kushti i vetëm që këta njerëz të angazhohen maksimalisht dhe të jenë produktiv është të paguhen mirë. Kushton por garanton sukses. E vlerësoj si punë, për mua është me rëndësi kush është prapa projektit, ajo çka nuk shihet nga publiku. Në zanatin tonë ka dy lloj njerëzish: Ata që punojnë dhe ata që marrin merita.
“Kombinati” nuk pati fare fat. Nuk pati fat me producentë dhe u zbeh, i humbi vrulli, edhe pse është pritur tepër mirë, mirëpo jo të gjithë kanë mundur ta përcjellin.

KultPlus: A do të hynte ndonjëherë Luan Jaha në rolin e regjisorit?
Luan Jaha:
Jo, më shumë më pëlqen të luaj.

KultPlus: Në të njëjtën kohë ju punoni edhe si profesor, në Fakultetin e Arteve, si është të rrisësh brezat e rinj të aktorëve?
Luan Jaha:
Po,është punë me përgjegjësi, kërkon angazhim, përkujdes. Meqenëse jam edhe vet aktor, jam shumë i kujdesshëm, përpiqem të jem i saktë në vlerësime, vërejtje dhe propozime. Përpiqem ta ndihmoj studentin që gjatë studimeve ta shpalos, ta njoh dhe ta zbuloj vetën. Të mos ketë paragjykime, të fitoj vetëbesim, të jetë produktiv dhe qysh në vitin e tretë të filloj të krijojë vetë, në mënyrë të pavarur.

KultPlus: Sa kemi emra premtues tash?
Luan Jaha:
Kemi shumë studentë të talentuar, në klasën time jo një i mirë por ka shumë të mirë. Kemi në përgjithësi shumë fëmijë të talentuar por, iu mungon informata bazë mbi teatrin . Kishte me qenë mirë që në shkollat fillore, të mesme në kuadrin e tyre të formojnë grupe dramatike, të futet edhe lënda e artit dramatik (si lëndë zgjedhore) sikurse lënda e muzikës, vizatimit, kulturës fizike…, e jo të vijnë studentet në fakultet pa njohuri elementare mbi teatrin.

KultPlus: Nëse do të zgjedhësh mes asaj të jesh aktor rezident në Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe profesorit në Fakultetin e Arteve, cilën do e zgjedhje?
Luan Jaha:
Sikur të më pyesje para dy vitesh, pa hezitim do të thosha teatrin, por sot nuk mendoj ashtu. Nuk e di, ndoshta rrethanat e kanë bërë të vetën, ndoshta pas dy vitesh ndërroj mendje, por tash për tash do të qëndroja këtu, sepse mendoj që jam më produktiv.

KultPlus: Po për kinematografinë shqipfolëse, në cfarë rruge jeni duke e parë?
Luan Jaha:
Jemi në rrugë të mirë, por në anën tjetër duhet të kemi durim. Kjo punë kërkon mjete, ky është çelësi i suksesit. Kinematografia është “sport” i shtrenjtë. Jemi në rrugë të mirë dhe pres që të bëjmë mrekulli në të ardhmen, si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë.

KultPlus: Krejt në fund, ndonjë plan për vitin e ardhshëm dhe cili është mesazhi i Luan Jahës për vitin 2018-të?
Luan Jaha:
Aktori është “argat” ne nuk e dimë se çfarë na pret, duhet t’i pyesim producentët, regjisoret, ata e kanë fatin tonë në dorë, na presim dhe në pritje …qeshim
Uroj të kemi punë, e kur ka punë, ka dashni, gëzim, gjallëri. Për vitin e ri uroj nga zemra ti lëmë të këqijat në 2017-të dhe të futemi në 2018-të me plot dashni sa mund të çoj zemra. GËZUAR! / KultPlus.com

Të ngjajshme