26 Prill, 2022 - 10:51 am
Nga Luan Rama
Qendra Kombëtare e Filmit francez (CNC) shfaqi në Paris në një nga sallat e saj filmin « Kodra ku hungurojnë luaneshat » i regjisores së re Luana Bajrami. Është filmi i saj i parë me metrazh të gjatë dhe i dyti si regjisore pas një filmi me metrazh të shkurtër, ndërkohë që ka interpretuar role të ndryshme në shumë filma francezë. Ajo vjen nga një shkollë teatri në Francë, e cila Kosovën e ka lënë që në moshën shtatë vjeçare dhe ka brenda vetes një shije të veçantë letrare çka duket e ka ndihmuar të ngjisë me shpejtësi shkallët e Artit të Shtatë. E takova para shfaqjes, bashkë me producenten e saj. Do të shikonim një bashkëpunim franko-kosovar, një trupë krijuesish të rinj çka shpejt do na dëshmonin për mjeshtërinë e tyre. Mbrëmë ky film për mua ishte një nga surprizat e bukura të kinematografisë kosovare meqë interpretuesit dhe dekori janë të Kosovës, në një qytezë si duket pranë Prishtinës. Vitet e fundit kinematografia e Kosovës na ka shfaqur surprizë pas surprize, por ky film nuk di pse më dha ndjesinë të pikëtakoja “nouvelle vague” franceze, për nga aspekti i një gjuhe të re filmi, një risie të re, siç e sollën atë në vitet ’60 regjisorë si Godard, Truffaut, Rohmer, Chabrol me aktorë si Depardieu, Belmondo, Deware, Miou-Miou, Huppert, etj. Një frymëmarrje si duket e ngjashme, çka më bën të mendoj për këtë “Valë të Re”. Një histori e thjesht po aq dhe dramatike. Tri vajza të reja në jetën e tyre të përditshme në një fshat disi të humbur pas traumave të luftës dhe varreve që i ndesh ngado. Një botë monotone ku jeta e femrës ndeshet parreshtur me barrierat e një mentaliteti të vjetër, çka ehot e Kanunit nuk janë shumë të largëta. Janë vajza që e duan jetën, që mendojnë për të ardhmen, ëndërrojnë, ku në shpirtrat e tyre ka një lloj mederniteti të cilën këto tri vajza e shfaqin gradualisht, me forcë dhe ndjeshmëri, ku trupi flet dhe dëshira pulson, ku kamera i ndjek në lirinë e plotë të shpirtit dhe trupit. Ka një lloj egërsie në shfaqje të parë por që shpejt spektatori prek ndjesinë delikate të shpirtit të tyre. Dhe kur portat e shkollimit në universitet u mbyllen, çka ishte ëndrra e tyre, ato rebelohen, dhe kërkojnë ti kundërvihen shoqërisë së mbyllur maçiste. Aktoret janë të çliruara dhe të ngjan se luajnë vetë jetën e tyre, pa artifise, ku një kamera poetike dhe dinamike njëkohësisht na zbulon luhatje, tronditje, shpirti, edhe pse në sfondin muzikor disi të ngarkuar. Brenda kësaj drame ndërthuret një linjë tjetër, ajo e një vajze po nga Kosova e ardhur në Francë, si të ishte simotra e Luanës, ardhur aty për pushime për të parë gjyshen e saj, e dashuruar pas letërsisë franceze dhe që në duar, jo më kot ka librin e Zolasë, « L’Assommoir », që siç thotë personazhi « është një kryevepër ». Është vetë fati i trishtë i një gruaje që e do jetën dhe që pesha e shoqërisë e thyen atë.
Filmi i rikthehet gjithnjë asaj kodre që na prezanton në fillim, si të jetë një kodër mitike, magjike, asaj kodre ku tri vajzat klithin njëherësh britmën e tyre të shpirtit, e vajzave të ndrydhura dhe pa shpresë. Një britmë migjeniane në atë kodër të xhveshur, me gurë e me varre, si shenjë e një realizmi magjik. Nga një aventurë euforike dhe pikëtakimi me lirinë, ato më së fundi rikthehen në fshat pa mundur të shkojnë jashtë vendit të tyre dhe ku një vizë-kalimi është hipotetike. Por rikthimi i tyre është i dhimbshëm. Luaneshat duket se bien në një çark të shoqërisë ku vetëm britma u ka mbetur. Janë padyshim personazhe plot dritë, portrete plot humanizëm me vetë dramën e një shoqërie që kërkon të kapë trenin e kohës. Dhe gjithë kjo më ngjan me shfaqjen e një “Vale të Re” të kinematografisë kosovare. / KultPlus.com