7 Gusht, 2019 - 10:00 pm
Lucy Liu ka ndjenja të përziera për rebootin e ardhshëm të “Charlie’s Angels”. Liu luajti si detektivja femër Alex Munday në adaptimin filmik të serisë ikonike televizive amerikane në vitin 2000, së bashku me Cameron Diaz dhe Drew Barrymore, dhe treshja i reprizoi rolet e tyre për vazhdimin e vitit 2003, “Charlie’s Angels: Full Throttle”.
Por duke folur për Entertainment Tonight, 50-vjeçarja e ndau shqetësimin e saj për numrin e filmave hollivudianë që po rebootohen.
“Ata po i riciklojnë gjërat shumë. ‘Charlie’s Angels’ ishte ricikluar, prandaj është e rrallë të gjesh diçka që është e freskët dhe e re”, tha ajo. “Por mendoj se ekziston një audiencë për këtë, kështu që mendoj se është e mrekullueshme. Dhe gjithashtu do të dalë edhe ‘Charlie’s Angels’ i ri”.
Aktorja vazhdoi të tregojë se, edhe pse është e entuziazmuar për filmat origjinalë, ajo është “kurioze” të shohë se si filmi i ri e modernizon franshizën.
“Thjesht mendoj se gjërat që janë origjinale gjithmonë paksa mbesin, por mendoj se është një nivel komoditeti në përpjekjen për të mbështetur diçka dhe gjithashtu për të ribërë diçka në kohën moderne, dhe gjithmonë jam kurioze se si funksionon kjo”, shtoi Liu.
“Charlie’s Angels”, me regji të Elizabeth Banks dhe me Kristen Stewart, Naomi Scott dhe Ella Balinska në rolet kryesore si treshja që e lufton krimin, planifikohet të dalë më 15 nëntor. /KultPlus.com