20 Tetor, 2020 - 5:05 pm
Platforma Netflix e ka ndarë me publikun sekuencat e para të filmit të fundit të aktorit të ndjerë, Chadwick Boseman, me titull “Ma Rainey’s Black Bottom”.
Ylli i njohur vdiq në gusht të këtij viti në moshën 43-vjeçare, pas një beteje katër vjeçare me kancerin. Lajmi për vdekjen e aktorit ishte konfirmuar nga familja e tij, të cilët po ashtu treguan se filmat e tij të fundit, “Marshall”, “Da 5 Bloods”, “Ma Rainey’s Black Bottom” dhe disa projekte tjera, janë xhiruar gjatë kohës sa Boseman po përballej me sëmundjen vdekjeprurëse, duke iu nënshtruar një sërë operacionesh dhe trajtimesh me kimioterapi.
Filmi i ri “Ma Rainey’s Black Bottom” është adaptuar nga shfaqja e vitit 1984 e August Wilsonit, dhe fokusohet në këngëtaren Ma Rainey e portretizuar në film nga aktorja, Viola Davis, dhe anëtarin e bendit të saj Levee, i sjellë në ekran nga Chadwick Boseman, teksa mundohen të depërtojnë në industrinë e muzikës në Chicagon e viteve ’20.
Ylli i kinematografisë Denzel Washington i cili shërben si producent i këtij projekti, duke folur për bashkëpunimin me aktorin e ndjerë për gazetën “New York Times” tha: “Ai e ka bërë një punë të mrekullueshme, dhe tani nuk është më në mesin tonë. Ende nuk po mund ta besojë që e kemi humbur atë”.
Në anën tjetër, aktorja Viola Davis e përshkroi Bosemanin si një bashkëpunëtorë të jashtëzakonshëm.
Filmi “Ma Rainey’s Black Bottom” do të fillojë së shfaquri në Netflix nga 18 dhjetori i këtij viti.
Në fillim të kësaj jave u zbulua lajmi se Boseman vdiq pa lënë testament, kjo pasi bashkëshortja e tij, Taylor Simone Ledward, e ngriti një çështje në gjykatë me ç’rast po kërkon që gjykatësi ta caktojë atë si administratore të pasurisë së aktorit, që e kap shumën prej 939 mijë dollarëve.
Ndërkohë, së fundmi në Disneyland të Kalifornisë u zbulua një mural, dedikuar personazhit ikonik të personifikuar nga Boseman, Black Panther.
Në lajme të tjera, aktorja Letitia Wright e cila ka luajtur krahas Bosemanit në filmit hit të arkave filmike, së fundmi e pranoi se do të jetë ndjenjë e çuditshme ta përsëris rolin e saj në filmin e ardhshëm “Black Panther”, pa prezencën e Chadwickut.
Aktorja 26-vjeçare e cila në këtë projekt e luan rolin e Shurit, motra e vogël e mbretit T’Challa, tha se po e ka shumë të vështirë ta përballojë humbjen e mikut dhe kolegut të saj, Boseman. Tutje ajo tregoi se i gjithë ekipi është duke e vuajtur vdekjen e aktorit dhe nuk po iu shkon mendja rreth realizimit të vazhdimit të radhës, dhe mendimi për t’iu kthyer punës në sheshin e xhirimeve po u duket shumë i çuditshëm./ KultPlus.com