11 Shtator, 2023 - 11:44 am
Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit restauroi filmin “Mësonjëtorja”, që mban firmën e regjisorit Muharrem Fejzo, skenarin e Natasha Lakos, dorën e piktorëve Shyqyri Sako e Ilia Xhokaxhi; lojën e shkëlqyer të Roza Anagnostit, Gulielm Radojës, Robert Ndrenikës, Ardian Cergës etj.
“Një përkim i bukur dhe një ogur i mirë restaurimi i filmit “Mësonjëtorja” me ditën e parë të shkollës”, shkroi ministrja e Kulturës, Elva Margariti, në rrjetet sociale.
Margariti i uroi suksese çdo nxënësi dhe mësuesi për fillimin e një kapitulli të ri, duke ndarë lajmin se puna e bërë nga AQSHF në bashkëpunim me Harabel Contemporary Art Platform do të mund të shihet nesër pasdite, në Pallatin e Brigadave.
“Mësonjëtorja, një film-simbol i përpjekjes për dije dhe një homazh për të gjithë dëshmorët e gjuhës shqipe, që sakrifikuan gjithçka për të mbajtur ndezur këtë flake”, është shprehur ministrja Margariti./ atsh/ KultPlus.com