Marko Caka me rol kryesor në njërin nga episodet e serialit të famshëm “Spies next door”

14 Mars, 2018 - 3:20 pm

Marko Caka, aktori me prejardhje shqiptare i cili është duke ngjitur majat e karrierës së tij në Hollivud, tashmë ka nisë xhirimet në një rol protagonist në një episod në serialin “Spies next door”.

Lajmin për KultPlus, e ka bërë të ditur vetë Caka, i cili ka treguar se seriali vjen nën regjinë e Erik Kirsten.

“Unë kam rolin e Boris, një ish agjent i KGB por që rekrutohet për shërbimin sekret të CIA-s. Ngjarjet e episodit janë të përqendruar në vitin 1982 në Virgjinia ku Boris, pasi ka braktisur familjen për t’i shërbyer shërbimit sekret të bllokut komunist, ai vendoset tw kthehet në familjen e tij por që ndiqet këmba-këmbës dhe helmohet nga spiunazhi sovjetik i KGB”, tha për KultPlus, Caka.

Episodi i serialit hulumtues do të shfaqet në fillim në kanalin kombëtar amerikan A&E gjatë verës së këtij viti. Ky film i viteve 80’ nga dinamika e ngjarjeve, ka një ngjashmëri me historinë e vrasjeve të fundit të ish agjenteve të KGB nga spiunët rus në kryeqytetin londinez.

“Boris është roli i parë protagonist i imi që shfaqet në televizionin amerikan dhe që premton për të ardhmen e karrierës sime në Industrinë e Filmit gjigant amerikan”, përfundoi për KultPlus, Marko Caka./ KultPlus.com

Të ngjajshme