29 Nëntor, 2017 - 1:12 pm
Filmi ‘Martesa’ nga Blerta Zeqiri u dha premierë botërore dje, 28 nëntor, në festivalin e mirënjohur të kategorisë ‘A’ – PÖFF | Tallinn Black Nights Film Festival. Filmi u mirëprit dhe pati komente shumë pozitive nga audienca, mediat dhe kritikët.
‘Martesa’ flet për një trekëndësh dashurie pranë dhe gjatë një martese, trekëndësh ky problematik dhe një diskutim më i thellë i tabuve të pranishme në plot shoqëri, ku rolet kryesore interpretohen nga: Alban Ukaj, Adriana Matoshi dhe Genc Salihu.
Në Tallinn, përkatësisht në festival po qëndrojnë ekipa e ngushtë e filmit, regjisorja Blerta Zeqiri, producenti Keka Kreshnik Berisha, aktorët Alban Ukaj dhe Genc Salihu si dhe drejtori i QKK-së Arben Zharku.
Rreth premierës regjisorja Blerta Zeqiri u shpreh: “Jam shumë e lumtur, pasi që filmi u prit jashtëzakonisht mirë nga publiku dhe e pati një sesion të gjatë dhe shumë të mirë të pyetje-përgjgjeve pas filmit. Gjithashtu, ‘Martesa’ ishte një prej tre filmave të rekomanduar në mediat estoneze për ditën e djeshme, kështu që presim pjesëmarrje të mirë të publikut edhe në shfaqjen e dytë.”
‘‘Martesa’ do të shfaqet edhe sot, 29 nëntor, në ora 20:30 dhe me datë 3 dhjetor në qytetin Tartu të Estonisë.
Filmi pritet të jepet premierë kosovare në fillim të muajit shkurt të vitit 2018 dhe është i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Qendra Kombëtare e Kinematografisë së Shqipërisë me producent Keka Kreshnik Berisha dhe koproducent Eno Milkani./ KultPlus.com