3 Nëntor, 2017 - 5:27 pm
Filmi “Martesa” me regji nga Blerta Zeqiri, do të shfaqet në Tallin me datë 28 nëntor.
Salla numër 3 e Apollo Cinema Solaris në Tallin të Estonisë nga ora 18:00 mirëpret filmin nga Kosova, me Alban Ukajn, Adriana Matoshin dhe Genc Salihun në rolet kryesore.
Derisa kanë dalë edhe fotografitë e para të filmit, një kritikë në webfaqen e festivalit PÖFF | Tallinn Black Nights Film Festival e quan filmin të fuqishëm dhe një tregim kosovar që lidhet me jetën e komunitetit LGBT- gej, lezbik, transgjinor e biseksual, shkruan KultPlus.
“Filmi ‘Martesa’ është filmi debutues i metrazhit të gjatë i regjisores Blerta Zeqiri. Bekimi dhe Anita gjenden në një ngjarje të dhimbshme ku janë gjetur mbetje nga varrezat masive. Prindërit e Anitës janë të zhdukur, dhe çifti është gati për martesë. Çifti, i kthyer në Prishtinë, e takon Nolin, muzikantin që jeton në Francë. Ai ka qenë shoku i ngushtë i Bekimit, ndërsa ata nuk e kanë parë njëri-tjetrin për dy vite” shkruhet mes tjerash në kritikën e Vassilis Economou.
“Pos meritave dramatike dhe veçantisë së temës së trajtimit, filmi na sjellë një dimension social dhe një perspektivë të kinemasë që ka nevojë për më shumë eksplorim” vazhdon kritika.
“Martesa” është pjesë e këtij festivali, në kategorinë e filmave konkurrues të metrazhit të gjatë. Producent i filmit është Kreshnik Keka Berisha. Një pjesë e mirë e ekipit do të jetë e pranishme në premierën botërore të filmit. / KultPlus.com