18 Mars, 2018 - 2:30 pm
Filmi i metrazhit të gjatë “Martesa” me regjisore Blerta Zeqirin do të ketë premierën turke gjatë muajit prill në Instambul Film Festival, në Turqi, shkruan KultPlus.
Filmi “Martesa”, që u përkrah financiarisht nga Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK), flet për një trekëndësh dashurie pranë dhe gjatë një martese. Treshen e personazheve kryesore të filmit me skenar të Blerta Zeqirit dhe Keka Kreshnik Berishës e interpretojnë Alban Ukaj, Adriana Matoshi dhe Genc Salihu. E gjithë ngjarja shtjellohet, para dhe gjatë martesës së Bekimit me Anitën, e cila nuk është në dijeni se Bekimi është ende në dashuri me shokun e tij më të mirë, Nolin.
Ngjarja prekë kohën e luftës në Kosovë, atëherë kur dy të rinj, Bekimi dhe Noli jetojnë brenda një ndërtese, ku edhe fillojnë të ndjejnë shenjat e para të dashurisë për njëri-tjetrin. Shumë vite më pas, luftën më të madhe do ta kenë me barrierat e kësaj dashurie.
Anita, është vajzë e një familjeje të të zhdukurve gjatë luftës. Martesën e çiftit, me mjaft emocion e pret familja e Bekimit, por jo dhe ai vet. Madje rrjedha e ndjenjave të tij, vjen e komplikohet me kthimin e Nolit, i cili është muzikant. Ai në Prishtinë vjen pas disa vitesh jetë në Francë.
Ata të cilët dëshirojnë që të shohin filmin në kuadër të këtij festivali duhet që të blejnë biletat në faqen e festivalit. Ky film do të shfaqet gjatë muajit prill, më 14, 15 dhe 17 Prill. / KultPlus.com