18 Shtator, 2019 - 6:30 pm
Matt Damon dhe Christian Bale përpiqen ta ndryshojnë industrinë e automjeteve garuese në trailerin e ri për “Ford v Ferrari”.
Në fund të vitit mbërrin tregimi për përpjekjen e Fordit që t’i japë fund dominimit të Ferrarit. Drama aksion-biografike me regji të James Mangold e pati premierën në Festivalin e filmit në Telluride, ndërsa së fundmi u shfaq në Festivalin ndërkombëtar të filmit në Toronto dhe bazohet në historinë e vërtetë dhe të jashtëzakonshme të vizionarit dhe krijuesit amerikan të automjeteve Carroll Shelby (Damon) dhe shoferit të patrembur britanik Ken Miles (Bale) të cilët arritën ta bëjnë të pamundurën.
Dyshja luftoi kundër përfshirjes korporative, ligjeve të fizikës dhe demonëve të tyre personalë në mënyrë që së bashku ta krijojnë një automobil revolucionar garash për Fordin me të cilin duan të fitojnë dhe ta marrin dominimin mbi automjetet garuese të Enzo Ferrarit në garën legjendare automobilistike 24-orëshe “Le Mans” në Francë në vitin 1966.
Askush nuk besonte se ishte e mundur të mposhtej Ferrari, veçanërisht jo një Ford i cili, sipas tyre, prodhonte automobila të shëmtuar. Por ata të dy, së bashku me ekipin e tyre të shkëlqyer të inxhinierëve dhe disenjatorëve, arritën ta bënin Ford GT40, i cili e theu dominimin gjashtëvjeçar të Ferrarit në atë garë, ndërsa se çfarë ndodhi në prapavijë do ta kuptojmë në këtë film.
Trailerin e parë e shoqëroi muzika e Rolling Stones dhe kënga Gimme Shelter, ndërsa në trailerin e fundit dëgjohet Highway Tune të bendit Greta Van Fleet. Në rolet e tjera shfaqen Jon Bernthal (si Lee Iacocca), Tracy Letts (si Henry Ford II) dhe Caitriona Balfe si bashkëshortja e Miles, Mollie.
“Ford v Ferrari” në kinematë në mbarë botën arrin më 15 nëntor. /KultPlus.com