29 Nëntor, 2019 - 12:45 pm
Për vite me radhë kemi pritur ta shikojmë Channing Tatumin në rolin e Gambitit, personazhit të njohur nga stripat X-Men. Kjo fatkeqësisht nuk është realizuar, por Tatum është i vendosur që të paktën ta personalizojë ndonjë personazh stripash në ekranet e mëdha, ndërsa kësaj here bëhet fjalë për stripin ikonik “The Maxx”.
Stripi “The Maxx” u krijua në vitin 1993 nga Sam Kieth për Image Comics, ndërsa i sjell dy ngjarje simultane.
Në botën e vërtetë, personazhi i titullit është një i pastrehë për të cilin është përgjegjëse punonjësja sociale Julie Winters, shkruan KOHA Ditore. Por në “Outback” Maxx është një mbrojtës i fuqishëm dhe Julie është Jungle Queen e tij.
Seriali i stripit tashmë është transmetuar në ekranet e vogla në vitet ‘90 si seri e animuar me po të njëjtin emër. Atë e transmetoi MTV dhe shumë shpejt fitoi adhurues të shumtë falë stilit të tij të çuditshëm të animacionit.
Tatum dhe partneri i tij i produksionit Roy Lee do të duhej ta sillnin filmin në ekranet e mëdha, por detajet rreth produksionit nuk dihen ende. E vetmja gjë që e dimë është se filmi do të duhej ta ketë një ton më të errët, por të gjitha detajet do t’i zbulojmë me kalimin e kohës. Data e shfaqjes nuk është përcaktuar ende. /KultPlus.com