21 Qershor, 2022 - 1:00 pm
Java e Filmit Kosovar nisi mbrëmë me filmin “Luaneshat e Kodrës” të regjisoren Luana Bajrami në kinemanë e hapur të 7Arte, në Mitrovicë, përcjellë KultPlus.
Në ceremoninë e hapjes organizatori Lulzim Hoti, theksoi se kjo nismë ka ardhur si rezultat i nevojës së të rinjve për tu ndeshur me magjinë e kinemasë, si dhe për të promovuar vlerat e kinematografisë kosovare.
Drejtoresha e DKRS’së Valdete Idrizi, përgëzoi organizatorët për aktivitetin në fjalë, si dhe konfirmoi se janë duke u bërë përpjekje për aktivizimin e kinemasë në kuadër të Qendrës së Kulturës në Mitrovicë.
Nata e parë u hap me shfaqjen e filmit “Luaneshat e Kodrës” nën regjinë e Luana Bajramit, film ky i cili u prit me mjaftë interesim nga audienca mitrovicase. Filmat e paraparë gjatë ditëve në vijim janë: Zana, Babai, Cirku Fluturues, Zgjoi, Në Mes, si dhe Rooftop Story.
Ky aktivitet përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut. / KultPlus.com